Politike

Primaret / Berisha: Për drejtuesit politikë vendos Këshilli Kombëtar. I përgjigjet edhe kundërshtisë së Bujar Leskajt

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se sa i përket procesit të Primareve në PD për drejtuesit e qarqeve, do të jetë Këshilli Kombëtar, ai që do të vendosë për to.

Një ditë më herët, PD u dërgoi njoftim kryetarëve të degëve ku thuhej se të gjithë ata që duan që të futen dhe të garojnë në Primare, do duhet që të japin dorëheqjen nga drejtimi i degëve të PD. Për këtë afati i fundit është data 26 janar.

Por ndërsa erdhi dhe dorëheqja e parë nga kryetarja e PD në Sarandë, pati edhe kundërshtime nga Kryetari i Degës së PD në Vlorë Bujar Leskaj i cili doli kundër propozimit të Berishës.

“Tani, procesi i primareve është një proces statutor. Qëndrimi i kryetarëve të PD, ose kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të PD është statutore, ka një nen në statutin e PD, i cili thotë; në rast se kryetari i partisë do të kandidojë, ai duhet të japë dorëheqje para se të zhvillohen primaret.

Pse? Sepse ai tjetri që do të kandidojë, ai kërkon garë të barabartë dhe garë të barabartë, unë kryetar dhe tjetri thjeshtë nuk ka. Ndaj dhe kjo është një normë statutore. A do hynë në garë drejtuesit e PD, gara është e hapur për të gjithë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, diaspora do të ketë përfaqësuesin e vet, për të cilën tha se do të jetë statuti që do të japë përgjigje edhe për kuotimin e votave të diasporës për deputetët.

I pyetur për drejtuesit politikë të qarqeve, ai deklaroi se për ta do të vendosë Këshilli Kombëtar. Por shtoi se lista e mbyllur do të përcaktohet nga gara, nga primaret dhe rezultati në primare.

“Meqë jam këtu tani, unë ftoj të gjithë demokratet, demokratët dhe të gjithë ata që duan të marrin pjesë në garën e primareve. Të fillojnë që sot garën për votën e diasporës. Dmth, të fillojnë që sot regjistrimin e numrit më të madh të mundshëm të qytetarëve me të drejtë vote në emigracion dhe diasporë. Do të jetë dhe ky një kontribut i tyre i madh dhe që padiskutim do të marrë vlerësimin e duhur”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë