Bota

Prigozhin u vra nga një bombë në kondicionerin e avionit? Putin nuk do jetë në funeral

Gazeta Si – Një bombë e vendosur brenda kondicionerit reaktiv në avionin e Yevgeny Prigozhin. Kjo është hipoteza e fundit, e formuluar nga e përditshmja ruse “Moskovsky Komsomolets”, mbi shkaqet që çuan në rrëzimin e avionit privat të kreut të Wagner-it në rajonin Tver, midis Moskës dhe Shën Petersburgut.

Sipas asaj që thuhet nga gazeta, në aparat mund të jetë vendosur një bombë, e cila është zëvendësuar për një defekt më 19 gusht. Ndërkohë Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në funeralin e liderit mercenar.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov njoftoi se presidenti rus nuk do të jetë në ceremoni, duke shtuar se ende nuk ka informacion të saktë se kur, ku dhe në çfarë forme do të bëhet funerali.

Pas problemit me ajrin e kondicionuar, i cili daton në 18 korrik, dyshohet se është kërkuar një avion zëvendësues dhe “Jet”-i ka qëndruar i palëvizshëm për javë të tëra pranë Moskës, në aeroportin Sheremetyevo.

Në atë moment do të krijohej mundësia për të vendosur bombën në kondicionerin e ri. Gazeta ruse “Moskovsky Komsomolets”, shpjegon se kreu i Wagner ndryshonte planet e tij në minutën e fundit, duke modifikuar orarin e tij për arsye pune, por mbi të gjitha për sigurinë e tij personale.

Ai udhëtim për në Shën Petersburg duhej të bëhej në datën 20, por fluturimi ishte shtyrë për në datën 23. Më pas pati ndryshime në orar dhe në listën e pasagjerëve, që nga tre, u bënë shtatë.

Gjithçka normale për një personazh si Prigozhin, i cili merrej me negociata me rivalët dhe për këtë arsye ishte në rrezik të vazhdueshëm.

Mediat ndërkombëare, përveç hipotezës së kondicionerit, raportojnë se ekziston edhe ajo e një bombe të vendosur pranë krahut të avionit.

Ndërsa në Moskë kreut të Wagnerit i bëhen homazhe në shumë memorialë të ngritur në qytet, heshtja vazhdon, e konfirmuar nga Kremlini, në funeralin dhe varrimin e Prigozhin.

Një kanal Telegram pranë shërbimeve të sigurisë, shkruan se ceremonia mund të mbahet me dyer të mbyllura këtë të martë, më 29 gusht në Shën Petersburg.

Kishte pasur propozime të ndryshme, pothuajse të gjitha të lidhura me një funeral në vendet e pushtuara: flitej veçanërisht për qytetin Bakhmut.

Por duket se autoritetet po përpiqen që lamtumira e fundit për Prigozhin të mos kthehet në një ngjarje në mbështetje të mercenarëve dhe për këtë arsye është zgjedhur një funksion privat.

Asgjë nuk dihet as për varrimin, i cili dyshohet se mund të bëhet një vend pelegrinazhi për ithtarët e tij. Pra, gjithçka mbetet e mbuluar me mister.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë