Futboll

Prezantoi Uzunin, Austin në festë

Pritja mori fund dhe ajo që ishte lajmëruar javë më parë, tashmë është zyrtare dhe e zeza u hodh mbi të bardhë: Myrto Uzuni është një i gjelbër deri në vitin 2027 pas firmës si lojtari më i shtrenjtë në historinë e Austin FC në Teksas që militon në “Major League Soccer” (SHBA). Skuadër që i mundësoi sulmuesit kuqezi të prekë Tokën e Premtuar si një ndër 10 transferimet më të shtrenjta atje. Sulmuesi që luajti në Kroaci (Lokomotiva Zagreb), Hungari (Ferencvaros) dhe Spanjë, iu kushtoi 12 milionë euro amerikanëve (klauzola e prishjes së kontratës te Granada). 

Ai u largua nga Evropa pas 84 golave, 49 nga të cilët e shndërruan në shënuesin më të mirë të huaj te Granada. Pa harruar 36 golat e shënuar në Shqipëri me Tomorrin, Apoloninë dhe Lacin. Ajo çka e pret në aventurën e gjelbër është atmosfera e zjarrtë në “Q2 Stadium” ku nuk ka asnjë vend të lirë në sfidat e Austin FC. Sezoni i rregullt starton të shtunën dhe Austin FC do të luajë në orën 02:30 të mëngjesit të së dielës me Sporting KC në shtëpi. Ky është viti i 7 i ekzistencës së klubit që u themelua në tetorin e vitit 2018 dhe ndër investitorët e tij është edhe aktori Matthew McConaughey. Ka fituar 2 herë Copa Tejas në vitet 2022 dhe 2023, ndërsa humbi finalen e vitit të shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë