Pas shumë fjalësh dhe premtimesh është prezantuar edhe projekti i stadiumit më të ri në Shqipëri. Do të jetë në Fier stadiumi i radhës modern në vendin tonë, pas atyre në Elbasan, Shkodër dhe Tiranë.
Pas disa takimeve që u zhvilluan mes kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi, kreut të FSHF-së, Armando Duka dhe presidentit të Apolonisë, Kocco Kokdhima është rënë dakord për projektin e stadiumit të ri në këtë qytet. Impianti i ri modern, ndryshe nga tre stadiumet e ndërtuara më herët do të jetë në periferi të këtij qyteti në rrugën që të nxjerr për në autostradën Lushnje-Fier. Ky impiant do të jetë shtëpia e re e skuadrës së Apolonisë.
Ende nuk janë të bërë të ditura detajet e projektit të stadiumit, lidhur me kapacitetin e tij dhe koston. Por ajo që dihet deri më tani se ky impiant i ri do të jetë një vepër e ndërtuar në bashkëpunim të gjerë mes FSHF-së, Qeverisë, Bashkisë Fier dhe biznesmenëve. Projekti i stadiumit të ri në Fier është i dyti në radhë pas atij në Kukës, që pritet të fillojë gjatë këtij viti me ndërtimin.
Sakaq për qytetin e Fierit, ky është projekti i dytë për sportin që vihet në pritje të fillimit të punimeve. Më herët është prezantuar plani për ndërtimin e pallatit të sportit në këtë qytet, i cili është duke u ndërtuar dhe shumë shpejt pritet të jetë gati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.