Motosport

Prezantohet Ferrari SF-23, sfidë Red Bullit e Mercedesit për titullin

Gazeta Si – Nga Maranelo dhe nga cirkuiti i Fioranos me dashuri (në ditën e Shën Valentinit), por mbi të gjitha me ambicie të mëdha për të synuar titullin kampion në Botërorin 2023.

Është prezantuar sot Ferrari SF-23, që ka zbritur në fushë, në pritje për të zbritur në pistë për testet e Sakhirit dhe pastaj për Çmimin e Madh të Bahrejnit, që hap Botërorin. Makina e re e skuderisë së drejtuar nga Frederik Vaseur u prezantua para një tribune të mbushur nga punonjësit e Maranelos dhe zbriti në pistë në mesditë, para publikut që ishte grumbulluar prej orësh.

Makina e re Ferrari. Vaseur, Leklerk dhe Sainz. Gazeta Si, 14 shkurt 2023

Nderin e xhiros së parë e pati Sharl Leklerk, i ndjekur nga Karlos Sainz. Për disa xhiro në pistë dy shokët e skuadrës dialoguan nëpërmjet radios. Të pranishëm ishin edhe pilotët rezervë, Antonio Xhovinaci dhe Robert Shvartzman.

“Nuk më intereson, nëse fiton i pari Leklerk, apo Sainz. Rëndësi ka Ferrari, e ndjej shumë përgjegjësinë për të drejtuar këtë skuadër. Është emocionuese të prezantoj një Ferrari të ri, është si dita e parë e shkollës.

Rregulloret janë të ashpra dhe kemi punuar shumë për ‘power unit’, që sezonin e fundit në disa momente ishte pika e dobët. Tre ditë teste nuk janë shumë, por besoj se do të jemi gati në çdo drejtim para startit të Botërorit”, – tha Vaseur gjatë prezantimit.

Në prezantim foli edhe Leklerk, i cili theksoi: “Është një ditë speciale, shoh një pasion të madh. Për mua është prezantimi i parë në pistën e Fioranos. Mezi pres të kthehem në timon. Vitin e kaluar bëmë një hap të mirë përpara, por objektivi mbetet fitimi i titullit, jo vendi i dytë. Me Karlosin jemi mjaft të motivuar. Xhiroja e parë ishte shumë e bukur, diçka speciale. Dy xhiro nuk mjaftojnë për konkluzione të sakta, por përshtypjet e para janë shumë të mira”.

Dy pilotët e Ferrarit, Leklerk dhe Sainz. Gazeta Si, 14 shkurt 2023

Karlos Sainz shtoi: “Është shumë emocionuese të prezantojmë makinën e re këtu në Fiorano, përpara punonjësve të Ferrarit. Ishte një dimër i gjatë, tani jam gati. Ndihem si në shtëpi, por duhet të kem kujdes me dietën… Me Leklerk kemi një bashkëpunim të shëndoshë dhe respekt. Ndihemi shumë mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë