Ndërsa liderët botërorë u takuan në samitin COP26 për të debatuar se si të trajtohet ndryshimi i klimës, ka pasur shumë pretendime se problematika e klimës është një mashtrim i madh.
Shkencëtarët kanë thënë se njerëzit kanë pretenduar prej kohësh, gabimisht, se ndryshimet e temperaturës janë vetëm pjesë e ciklit natyror të Tokës dhe jo rezultat i sjelljes njerëzore.
Ka mijëra postime në rrjetet sociale, ku njerëzit pretendojnë se një “Grand Solar Minimum” do të çojë në një rënie natyrore të temperaturave, pa ndërhyrjen njerëzore. Por kjo nuk është ajo që tregojnë provat. Një minimum i madh diellor është një fenomen real kur Dielli lëshon më pak energji si pjesë e ciklit të tij natyror. Studimet tregojnë se Dielli mund të kalojë një fazë më të dobët diku këtë shekull, por që kjo do të çonte, më së shumti, në një ftohje të përkohshme 0,1 – 0,2 gradë celsius të planetit.
Kjo nuk është pothuajse e mjaftueshme për të kompensuar aktivitetin njerëzor, i cili tashmë e ka ngrohur planetin me rreth 1.2 gradë celsius gjatë 200 viteve të fundit dhe sipas ekspertëve do të vazhdojë të rritet, ndoshta duke arritur në 2.4C deri në fund të shekullit.

Pretendimi: Ngrohja globale është e mirë
Postime të ndryshme që qarkullojnë në internet pretendojnë se ngrohja globale do t’i bëjë pjesë të tokës më të banueshme dhe se i ftohti vret më shumë njerëz sesa nxehtësia. Këto argumente shpesh zgjedhin fakte të favorshme duke injoruar çdo që i kundërshton ato. Për shembull, është e vërtetë që disa pjesë të ftohta të botës mund të bëhen më të lehta për t’u jetuar për njëfarë kohe. Por në të njëjtat vende ngrohja mund të çojë gjithashtu në reshje ekstreme, duke ndikuar në vështirësi për të jetuar. Sipas një studimi të botuar në revistën “ The Lancet”, midis 2000 dhe 2019, më shumë njerëz vdiqën si pasojë e motit të ftohtë sesa nxehtësia. Megjithatë, ka një rritje të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë. Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC) thotë në përgjithësi se rreziqet e lidhura me klimën për shëndetin dhe jetesën parashikohen të rriten nëse ngrohja globale arrin 1.5 gradë.

Pretendimi: Veprimet për ndryshimin e klimës do t’i bëjnë njerëzit më të varfër
Një pretendim i zakonshëm i bërë nga ata kundër përpjekjeve për të trajtuar ndryshimet klimatike është se lëndët djegëse fosile kanë qenë thelbësore për të nxitur rritjen ekonomike. Pra, sipas kundërshtuesve kufizimi i përdorimit të tyre, në mënyrë të pashmangshme do ta pengojë këtë rritje dhe do të rrisë koston e jetesës, duke dëmtuar më të varfrit.
Por nuk është kështu. Lëndët djegëse fosile kanë fuqizuar automjetet, fabrikat dhe teknologjinë, duke i lejuar njerëzit gjatë shekullit të kaluar të bëjnë gjërat në një shkallë dhe shpejtësi që më parë do të kishte qenë e pamundur. Kjo u mundësoi njerëzve të bëjnë, të shesin dhe të blejnë më shumë gjëra dhe të bëhen më të pasur.
Por të ndalosh përdorimin e qymyrit nuk do të thotë të kthehesh në ditët e karrocave të tërhequra nga kau dhe makinerive me dorë – tani kemi teknologji të tjera që mund të bëjnë një punë të ngjashme. Në shumë vende, energjia elektrike e rinovueshme – e fuqizuar nga era ose energjia diellore për shembull është më e lirë se energjia elektrike e mundësuar nga qymyri, nafta ose gazi.
Nga ana tjetër, studimet parashikojnë se nëse nuk veprojmë për ndryshimet klimatike deri në vitin 2050, ekonomia globale mund të tkurret me 18% për shkak të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe temperaturat ekstreme në ndërtesa, jetë, biznese dhe furnizime ushqimore. Një dëm i tillë do të godiste më së shumti më të varfrit në botë.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



