Kosova

Presioni për Asociacionin/ Konjufca: BE s’mund të marrë kompetencat e as të vendosë për Kosovën

Nga Gazeta 'Si' - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar presionin e ndërkombëtarëve për dërgimin në Kushtetuese të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se Bashkimi Evropian nuk mund të marrë kompetencat e të vendosë për Kosovën. Madje sipas tij, kjo qasje është diskriminuese dhe nuk është e drejtë.

Konjufca është shprehur se BE-ja mund të kritikojë për vonesë edhe pse sipas tij, nuk ka pasur ndonjë afat të caktuar për këtë gjë.

“Nuk mundet në vend të Kosovës, me e propozu draftin e Asociacionit, Bashkimi Evropian. Kjo i bie që Bashkimi Evropian me ia grabitë një kompetencë shtetërore Kosovës, një kompetencë për të cilën edhe vetë Brukseli në negociatat që i ka organizuar vetë, e ka të shkruar në njërën prej marrëveshjeve.Kosova e ka këtë të drejtë, Kosovës i garantohet e drejta për paraqitjen e draft-statusit për Asociacionin.

BE-ja tani mund të na kritikojë, me thënë që jeni vonuar ju, nuk e keni paraqitur draftin e Asociacionit, ne mund të themi: a ka pasur afat preciz deri kur Kosova kur ta paraqesë? Nuk ka pasur, pra më shumë është varur nga dinamika, nga dinamika kohore të procesit të negociatave të Brukselit. Ndoshta ne mund ta pranojnë kritikën, që jemi vonuar, por vonesa nuk do të thotë me ia marrë kompetencën Kosovës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë