Politike

Integrimi i Shqipërisë në BE / Dha sinjale për lëshim, por Greqia nuk heq dorë nga Fredi Beleri

Athina po përshkallëzon reagimet e saj kundër arrestit me burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Protothema shkruan se sot në COREPER (Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së) Greqia ka paraqitur një rezervë të shprehur në lidhje me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

Greqia ka njoftuar se nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë nëse nuk do të ketë zhvillime pozitive në lidhje me marrjen e detyrave të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarës, Fredi Beleri. Në tetor, Greqia nuk ka pranuar dërgimin e letrës së “27”-ve për hapjen e kapitujve të parë në pikënisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë.

Por më herët, të mërkurën në mëngjes, një tjetër media greke Kathimerini shkruante se ajo ishte drejt tërheqjes nga letra si pasojë e presionit ndërkombëtar

Shkrimi më herët tek Kathimerini

Konsultime intensive diplomatike thuhet se po zhvillohen për të detyruar Greqinë që të pranojë një letër në emër të Këshillit Evropian në mënyrë që Shqipëria të fillojë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në BE, shkruan Kathimerini.

Diskutimi përkatës pritet të zhvillohet në takimin e përfaqësuesve të përhershëm në BE (Coreper) të mërkurën, pasi Shqipëria përfundoi me sukses fazën e parë të negociatave të anëtarësimit në BE (procesi screening) të premten e kaluar pas 14 muajsh konsultime.

Nuk është sekret se Athinës i është bërë presion për këtë cështje, dhe burimet diplomatike thanë për Kathimerini, se kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar përmes kanaleve diplomatike se procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një çështje dypalëshe. Madje, sipas një zyrtari evropian, edhe presidenca spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e acaruar me qëndrimin e palës greke, vijon Kathimerini.

“Në këtë sfond, Greqia nuk mundet, thanë burime diplomatike, të vazhdojë bllokimin e letrës në fjalë për një kohë të gjatë pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të Shqipërisë.

Për shkak të kësaj, dhe në rast se përfundimisht vendos të firmosë  letrën e lartpërmendur nga Këshilli Evropian, Athina po shqyrton hapësirën për “bllokimin” e fazës tjetër të procesit përkatës, i cili përfshin një raport që përshkruan të gjitha standardet për atë që tashmë ose duhet të ishte përmbushur nga Tirana (raporti i përhershëm i anëtarësimit), si dhe thirrja e një konference ndërqeveritare përkatëse” shkruan Kathimerini

Greqia është zotuar të bllokojë aspiratat e Tiranës për në BE për sa kohë nuk zgjidhet çështja e kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, i burgosur që prej muajit maj, në Shqipëri, duke theksuar se të drejtat e tij po shkelen.

Në përgjigje të akuzave që synojnë Greqinë për ta bërë çështjen dypalëshe, ministri i shtetit Stavros Papastavrou theksoi se qëndrimi i Athinës ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve evropiane.

“Çështja Beleri është thellësisht evropiane, nuk është dypalëshe. Ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës,” tha Papastavrou.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë