Kosova

Presidentja Osmani: Nuk do të lejojmë modele që e shpallin shtetin jofunksional

Gazeta Si – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën (31 janar) se institucionet e Kosovës nuk kanë pranuar propozime për autonomi të zgjeruar në pjesën veriore të Kosovës apo Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Ajo i ka bërë këto deklarata nga Podujeva, teksa ka konfirmuar takimin me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Të dy nisin më 31 janar vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi.

Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, që në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë raund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Pritet që të diskutohet për asosacionin e komunave me shumicë serbe.

Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë u nuk janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës. Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Duhet ta themi një realitet që është pasi është e zeza mbi të bardhë, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar takimin me dy zyrtarët, mirëpo nuk është deklaruar rreth raportimeve për Asociacionin.

“Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim komentet tona”, ka thënë ai.

BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë