Në konferencën e paralajmëruar për mediat, Sali Berisha foli për shumëçka për zhvillimet e fundit në vend, zgjedhjen e Presidentit si dhe për gjyqin që ai ka hapur në Paris ndaj vendimit për shpallen e tij non grata nga DASH.
Fillimisht Berisha e komentoi aksionin e të enjtes nga SPAK dhe Policia e Shtetit një blof.
“Një blof i madh mbushi dje faqet e mediave digjitale e të shkruara dhe studiot televizive. Një operacion që ishte disfatë dhe që u shpall sukses i madh në të cilën nga 32 urdhër-arresti janë realizuar gjithësej 7-8 ushtarë, ndërsa bosët që të gjithë u larguan pasi u njoftuan në drejtime të pa ditura. Pse them unë u njoftuan? Nuk kam të dhëna që morën mesazhe, telefonata nga narko-policia apo institucione të tjera. Një të dhënë e kanë të gjithë shqiptarët. Disa ditë më parë, u bë publike se Dumani një vrasës serial është bërë i penduar. Në qoftë se Prokuroria dhe kushdo tjetër është i interesuar të gjej dekonspirimin, ky është akti më madhor. Të gjithë ata të cilët e dinin se kishin bërë porosi te Dumani, apo Dumani dinte aferat e zeza të tyre, sigurisht që lehtë e lehtë, morën arratinë dhe u zhdukën”, tha Berisha.
Ish-kryeministri komentoi gjithashtu se rrugën për në BE nuk e pengon muri bullgar sic pretendon kryeministri Rama por korrupsioni në vend
“Sot në Shqipëri është Presidenti i Këshillit Europian. E përshëndes vizitën e tij, por ajo çfarë duhet të shtoj është kjo, e falenderoj se kjo vizitë është mbështetje, inkurajim, por përpjekja e Edi Ramës për të paraqitur murin bullgar si pengesë për hapjen e negociatave për Shqipërinë janë fund e krye trillim. Nuk është muri bullgar. Është muri I krimit, muri I vjedhjeve, muri I drogës ato që qëndrojnë në të vërtetë faktorë që mbyllin dyert Shqipërisë për hapjen e negociatave. Unë jam këtu për t’i bërë thirrje BE-së dhe vendeve anëtare.
Të hapin negociatat me Shqipërinë siç tregonte me objektivitet Rezoluta e Parlamentit Europian të cilën e përshëndes. Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, por mendoj se hapja e negociatave dhe qëndrimi në kapitujt përkatës për kushtet është mënyra më e drejtë që qytetarët shqiptarë të vetëdijesohen se ku qëndron shkaku i vërtetë i bllokimit të procesit të integrimit për ata. Tek mosplotësimi i kushteve.
…Shkaku i vërtetë i mos hapjes së negociatave apo hezitimit të madh për hapjen e negociatave nuk është muri bullgar, janë muret e krimit, vjedhjeve dhe drogës.
Ju e dini që kemi firmosur një mocion me debat për deklaratën që ka bërë në Bruksel Edi Rama se ‘do shohim drejtimin’, unë e deklaroj se nëse ai mendon se mos hapja e negociatave është një autorizim për të ndryshuar drejtimin e vendit, do të përballet me rezistencën më të fuqishme të shoqërisë shqiptare të organizuar nga Partia Demokratike.
Nuk jam që politika e jashtme të bëhet në rrugë dhe me protesta, por një tentativë e tillë nuk do të njohë kufi dhe nuk do të ndodhë kurrë”, tha ai.
Berisha i është përgjigjur gjithashtu deklaratave të deputetit të CDU-së Gunther Krichbaum se nëse Berisha merr partinë, PD shpallet ‘non grata’ nga partia simotër PPE.
Berisha tha se ai është një qëndrim personal i tij, dhe se nuk mund të ndërhyjë në procesin e zgjedhjes së partisë simotër.
Një tjetër çështje e prekur prej tij i ngacmuar nga media ishte edhe gjyqi që ai ka hapur në Paris.
“Gjyqin në Francë po e ndjek me shumë angazhim avokati im të cilit i kam dhënë besimin e plotë, por siç kam njoftuar, janë faktorë pro dhe faktorë kundër meje.
Kundër meje është fakti se as unë e as Sekretari i Shtetit, nuk jemi shtetas francezë, por tani mund të them e diçka më shumë, se nuk jemi shtetas të hapësirës së BE. E kjo nuk është në favor.
Nuk është në favor dhe që Sekretari i Shtetit është personalitet me imunitet
në favor timin janë dy faktorë, se në një parim ndërkombëtar, nuk mund të them se është ligj i sanksionuar nga OKB por parim që shpifja dënohet aty ku del dhe në Shqipëri mund të dënohej.
Së dyti, vërtet Sekretari i Shtetit është padiskutim njeri me imunitet por shpifja në themel nuk hyn në veprimtarinë zyrtare.
Psh, në Kushtetutën e Shqipërisë ka një nen që thotë se deputeti është përgjegjës para ligjit për shpifjen që bën në Parlament.
Kjo mbetet në diskrecionin e gjykatësit, si do vendosë nuk e di, por procedura gjyqësore është e do jetë e pandërprerë nëse këto faktorë dalin kundër meje se mund të thotë që nuk je shtetas, nuk e di a do thotë, por e zëmë, që unë s’jam shtetas i hapësirës së BE, çka do të bënte të përshtatshme dhe gjykatat ndërkombëtare të Luksemburgut, atëherë pasi të studioj përgjigjen të këshillohem me avokatin tim do shoh hapësira të tjera e unë do vijoj me dy rrugë ndjekjen e problemit, ligjore dhe ndjekjen e transparencës e cila ka ecur, janë mbi 45 publikime deri sot në mediat e shteteve të Bashkuara të cilat kanë faktuar se nuk ekziston asnjë provë fakt e dokument për atë vendim se është i mirëfilltë politik, pra është përdorur ligji për qëllime politike bazuar në shpifjet e Sorosit dhe Ramës…”
Sa i përket emrave nga PD për President, Berisha tha se ky është një proces i neveritshëm.
”PD është forcë kryesore e opozitës dhe ajo funksionon mbi bazë procedurash vendimesh dhe precedentësh, gjithçka shihni janë një parodi e neveritshme, dëshmi tjetër e keqshfrytëzimit ekstrem nga Edi Rama të individëve të caktuar që për një tre pesë arsye pranojnë të vetëposhtërohen nga Edi Rama, por që ata nuk përfaqësojnë asgjë nga PD.
Bazuar në forumet e PD dhe jo vetëm kaq por edhe bazuar në traditën edhe praktikën e mëparshme të diskutimeve dhe vendimeve për zgjedhjen e Presidentit kemi bere të qartë para jush qëndrimin tonë.
Cdo gjë që Edi Rama bën me Ali-Bashën është një praktikë do të thosha e denigrimit e shpërfytyrimit dhe keqpërdorimit të një njeriu apo dy- tre njerëzve që një zot e di se çfarë hallesh kanë…”
Ai tha se PD nuk do bojkotojë këtë proces dhe kundërshtoi në mënyrë kategorike dy emrat që po përfliten nga sistemi i drejtësisë për President, Adrian Dvorani dhe Ina Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.