Politike

Presidenti i ri, Berisha nis procesin paralel në PD (rezoluta e Këshillit)

Zgjati vetëm disa minuta mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD i dalë nga Kuvendi i 30 Prillit.

Bujar Kapexhiu lexoi axhendën e Këshillit e ndare në dy cështje; Votimi i një rezolute për Presidentin dhe zgjedhja e kryetarit të ri të Këshillit Kombëtar.

Oerd Bylykbashi ne mbledhjen e Keshillit

Oerd Bylykbashi lexoi më pas rezolutën e miratuar paraprakisht nga komisioni i Rithemelimit ku nuk pati asnjë kundërshtim.

E vetmja që foli ishte Rudina Hajdari që u kujdes më shumë të thoshte se askush nuk mund ta përjashtojë atë më nga partia.

“…Ta përdorim këtë këshill për të marrë vendimet më të rëndësishme të PD-së dhe që PD të kthehet në ato shina që ka pasur për ta kthyer Shqipërinë drejt BE-së dhe t’i japim fund kryetarokracisë dhe të kuptojmë që jemi të gjithë të rëndësishëm në këtë sallë. Ju garantoj dhe një farë mënyre këtu kërkoj edhe falje që nuk do të ketë njeri të më përjashtojë nga kjo sallë.

Do jem këtu, është faji im falje që pranova përjashtimin e ish-liderit.  Nuk duhet ta kisha pranuar, nuk do ta pranoj edhe nëse më përjashtojnë nuk do të iki nga kjo sallë. Këtu do të rri në këtë sallë. Këtu do të rri bashkë me ju dhe kështu duhet të jetë betimi i gjithsecilit prej jush”, tha Hajdari.

Ndërkohe ne thelb rezoluta e miratuar me ngritje duarsh nga anëtarët e Këshillit (203 të pranishëm) kishte në thelb mandatimin e komisionit të Rithemelimit që të fillojë negociatat me faktor të opozitës për zgjedhjen e Presidentit të ri.  

Rezoluta thekson gjithashtu se nuk njeh asnjë palë tjetër (në këtë rast Alibeajn) në negociata për këtë proces.

Por ndryshe nga Rithemelimi, Enkelejd Alibeaj në anën tjetër ka njoftuar mbledhjen  e grupit parlamentar të PD-së po për cështjen  e Presidentit.

Ai ka informuar deputetët se të hënën në orën 14:00, do të zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar në selinë e Partisë Demokratike.

Më pas filloi votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të ri Kombëtar mes dy kandidaturash, Edi Paloka dhe Eleni Qirici.  

Nga numërimi i votave, Edi Paloka rezultoi fitues me  132 vota kundrejt 79 qe mori Qirici

Pikat kryesore te rezolutes se Këshillit Kombëtar të PD të mbledhur nga Sali Berisha:

…Në kushtet e mosbesimit të thellë, ofrimi opozitës parlamentare i përzgjedhjes së kandidatëve mbi bazë kriteresh të dakordësuara me konsensus, që synojnë kandidatura që përfaqësojnë më së miri unitetin e popullit, do të kontribuonte sado pak në rivendosjen e balancave kushtetuese, shmangien e kapjes së plotë të pushteteve nga Partia Socialiste dhe evitimin e thellimit të krizës politike.

Vullneti politik i Partisë Demokratike bazohet vetëm tek vota përfaqësuese e anëtarësisë së PD dhe zgjedhësve të saj. Rezoluta e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të datës 30 prill 2022 refuzon bojkotin si instrument politik.

Për sa më sipër, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, me këtë rezolutë vendos:

Partia Demokratike do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, në çdo rast pa u bërë pjesë e farsave institucionale të mazhorancës socialiste.

Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvendin e Shqipërisë.

Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave, krijohen kushtet për konsensus për votimin e Presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e Partisë Demokratike që bashkarisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta.

Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e Presidentit me votat e Partisë Socialiste, apo të siguruara pa konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike dhe nenin 4 të Rregullores së Grupit Parlamentar, siguron zbatimin e qëndrimit politik të Partisë Demokratike të përcaktuar në këtë rezolutë.

Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhur nga vendimet e organeve përfaqësuese të Partisë Demokratike, nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së Presidentit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë