Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, më 23 dhe 24 dhjetor do ta zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë, sipas një komunikatë të publikuar nga Presidenca kroate ku gjatë qëndrimit në Kosovë, ai do ta kalojë natën e Krishtlindjeve me pjesëtarët e Ushtrisë Kroate të dislokuar në kuadër të operacionit të KFOR-it të NATO-s.
Vizita e tij do të bëhet me ftesë të presidentes Vjosa Osmani.
“Gjatë qëndrimit zyrtar në Prishtinë, presidenti Milanoviç, përveç takimit me presidenten Osmani-Sadriu, do të marrë pjesë edhe në takimin e delegacioneve të dy vendeve, si dhe takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”, thuhet në komunikatë.
“Vizita e Presidentit të Republikës te pjesëtarët e Ushtrisë Kroate është paraparë në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, sepse presidenti Milanoviq natën e Krishtlindjes do ta kalojë me ushtarët kroatë.
Në Republikën e Kosovës është kontingjenti i 36-të kroat, me 141 pjesëtarë. Presidenti Milanoviç i përcolli ata më 22 nëntor 2021, kur pjesëtarët e Ushtrisë Kroate udhëtuan në Kosovë për një rotacion gjashtëmujor. Vizita në Kosovë do të jetë një mundësi që presidenti të takohet sërish personalisht dhe të bisedojë me ushtarët kroatë të cilët do të jenë larg familjeve të tyre gjatë pushimeve”, thuhet në komunikatën e Presidencës kroate.
Gjithashtu, Milanoviç është planifikuar të takohet edhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajari.
Milanoviç do ta shfrytëzojë qëndrimin e tij në Kosovë edhe për ta vizituar Janjevën, ku jetojnë kroatë. Në Janjevë, ai do të bisedojë me Don Mato Paliqin, një prift dhe pastor kroat, dhe më pas do të takohet me anëtarët e pakicës kroate për të diskutuar kushtet e jetesës në Kosovë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




