Gazeta Si – Edgar Paez, 63 vjeç, ishte në makinë me të bijën, kur iu afruan dy persona me një motor dhe e qëlluan me pistoletë. Lëndime për vajzën.
Edgar Paez, presidenti i Tigres, – klub kolumbian që merr pjesë në divizionin e dytë, – është vrarë pak pas ndeshjes që skuadra e tij humbi ndaj Atletikos. Lajmi është dhënë nga vetë klubi amerikano-jugor.

Sipas mediave lokale, 63-vjeçari sapo kishte lënë stadiumin ‘Metropolitano de Techo’. Ai ishte në shoqërinë e vajzës së tij në makinë, kur u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga dy persona me një motor. Paez ndërroi jetë menjëherë, kurse vajza u plagos. Policia e Bogotas ka nisur hetimet për këtë vrasje.
“Tigres dhe bota e futbollit kolumbian janë të shokuar nga lajmi, – shkruan klubi në profilet e tij në rrjetet sociale. – Impenjimi i tij për Tigres dhe zhvillimin e sportit në rajon kanë lënë një shenjë që nuk fshihet kurrë për të gjithë ata që e kanë njohur”.
Ngushëllimet për familjen e presidentit të vrarë kanë ardhur edhe nga Federata Kolumbiane e Futbollit dhe Ministria e Sportit në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.