Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ka futur në ngërç të madh grupin parlamentar të PD-së, ku asnjëra prej tre grupimeve, ajo që mbështetet nga Enkelejd Alibeaj, grupi me asnjërën palë dhe deputetët e “Rithemelimit” nuk janë në një mendje.
Alibeaj ka paraqitur paraprakisht një draft ku pret propozime shtesë nga deputetët në mbledhjen që ai ka thirrur në orën 14.00 të pasdites.
Grupi tjetër ai asnjanës ku bën pjesë edhe Ervin Salianji, njëherazi nënkryetar i grupit nuk ka rënë dakord me rrugën e ndjekur nga Alibeaj duke mos u bërë pjesë as e mbledhjes që vetë Alibeaj thirri të hënën në mëngjes, ajo e kryesisë së grupit.
Në këtë mbledhje munguan nënkryetarët e grupit Salianji dhe Boçi ndërsa ishin të pranishëm deputetët Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri.
Askush nga kryesia e grupit nuk foli për prezencë të deputetëve të tjerë pjesë e kryesisë apo faktit elementar nëse ishte plotësuar apo jo kuorumi.
Përmes një deklarate për mediat, Ervin Salianji e cilësoi draftin e Alibeajt si, “ardhje pas avazit të Edi Ramës’.
Më tej nuk mungoi as reagimi zyrtar i Komisionit të Rithemelimit që për procesin e zgjedhjes së Presidentit i mbeten një rezolute të miratuar në Këshillin Kombëtar të PD-së, duke saktësuar se Alibeaj nuk është i mandatuari i PD-së për këtë proces.
Drejtoresha e Komunikimit të Rithemelimit, Floriana Garo tha përmes një konference për mediat se ai dokumenti “Alibeaj” fakton marrëveshjen Rama – Basha- Alibeaj.
“Deputeti Alibeaj ka njoftuar me kundërshtim të plotë me Kuvendin e 30 prillit dhe rregulloren e grupit parlamentar, mbledhje të grupit parlamentar ditën e sotme.
Ka shpërndarë pa pasur tagër, marrëveshjen de facto Rama-Basha.
Kështu Rama me dyshen e emëruar prej tij, Basha-Alibeaj zgjedh Presidentin e tij.
Në këtë kontekst, marrëveshja Rama-Basha-Alibeaj është një akt tradhtie për mbi 600 mijë votuesit e opozitës. Është një akt poshtërimi. Në këtë marrëveshje del qartë se kriteret janë ato që janë shpallur nga Rama.
Binomi Basha-Alibeaj i sjellin si të tyren.
Me propozimin e tyre, Basha-Alibeaj duan të na bindin se po përjashtojnë kandidaturat e Ramës. Ky dokument vlen në kundërshtim flagrant me rezolutën e 2022 për Presidentin e Republikës.
Kjo është një lojë e neveritshme me demokratët dhe popullin opozitar. PD i bën thirrje deputetëve të saj të distancohen nga loja e ulët Basha-Rama-Alibeaj në kurriz të popullit shqiptar dhe pluralizmit në Shqipëri”, tha Garo.
Se sa do të binden deputetët demokratë nga argumenti që jep Rithemelimi kjo do të shihet në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar demokrat.
Në mbledhjen e javës se kaluar për këtë cështje, Alibeaj mundi të mbledhë vetëm 22 deputetë është pse nuk kishte kuorumin e nevojshëm (nga 52 deputetë të PD, pa aleatët),
17 deputetë janë rreshtuar me Komisionin e Rithemelimit ndërsa pjesa tjetër është shfaqur asnjanëse, por balancat priten të ndryshojnë jo pak më zhvillimet e fundit.
Ajo që dihet me siguri është se PD-ja është futur në një rrugë pa kompromis ku procesi i zgjedhjes së Presidentit vetëm sa po i evidenton më shumë konfliktet dhe grupimet, duke rriskuar procese të tjera të rëndësishme si ajo territoriale dhe reforma zgjedhore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



