Politike

Presidenti fut në kaos PD, Alibeaj thërret grupin, ‘Rithemelimi’ nuk e njeh: Të vendosë Këshilli

Enkelejd Alibeaj lajmëroi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të enjten për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Një ditë më parë, Rama hodhi shashkën se kreu i ri i shtetit mund të zgjidhet në rrugë konsensuale.

Më shumë sesa deklaratat e Ramës me rëndësi ka vetë një qëndrim unik nga grupi kur Enkelejd Alibeaj një ditë më parë u paraqit në mbledhjen e konferencës së kryetarëve si kryetari i grupit nga ku hodhi edhe propozime që u morën parasysh nga Taulant Balla

Ngërçi më i madh në PD është fakti se pjesa tjetër ajo e “Rithemelimit” nuk e njeh Alibeajn si palë përfaqësuese për PD-në sa kohë që ndaj tij ka edhe një vendim për shkarkim si kryetari i grupit pas Kuvendit të 30 Prillit. 

Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike, tha në A2 CNN, se Enkelejd Alibeaj “nuk është i mandatuar nga organet drejtuese të partisë për të negociuar me mazhorancën” për zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Zot Enkelejd Alibeaj nuk është i mandatuar për të negociuar me mazhorancën për Presidentin. Nuk është Edi Rama ai që përcakton se kush është opozita dhe se kush janë negociatorët. Ne e dimë që Rama me Bashën kanë një pakt, që vijon prej muajsh apo prej vitesh, por Kuvendi i 30 prillit tregoi se tashmë ka një opozitë të vërtetë”, tha Vokshi.

Qëndrimet për këtë çështje nuk përputhen as për organin se kush duhet t’i marrë vendimet.

Deputeti i PD-së njëherazi nënkryetar i grupit, Luçiano Boçi, që është pjesë e komisionit të “Rithemelimit” komentoi në Facebook se Alibeaj nuk mund të mbledhë grupin për Presidentin, pasi i vetmi organ, që duhet ta bëjë është Këshilli i ri Kombëtar i dalë nga Kuvendi i 30 prillit.

“Lidhur me mbledhjen e grupit parlamentar, të thirrur sot nga zoti Alibeaj, në cilësinë e nënkryetarit të grupit deklaroj se ajo është nul.

Është nul për dy arsye:

Së pari:

Zoti Alibeaj ka tagrin e Ramës dhe të Ballës, por nuk ka tagrin e demokratëve te cilët e kanë shkarkuar atë në Kuvendin e datës 30 Prill.

Së dyti mbledhjen e grupit e thërret Kryesia e Grupit dhe jo një deputet, qoftë ai i njohur nga Rama si përfaqësues grupi.

Prandaj nga ky moment kërkoj në ditët në vazhdim thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së Grupit, për të diskutuar e vendosur për mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Grupi parlamentar i PD nuk mund të mblidhet sa herë e kërkon e kur e kërkon Rama-Balla.

Ne nuk mund të shkojmë pas qerres së Ramës çfarëdolloj pamje të ketë ajo.

Këtu nuk bëhet fjalë për bojkot.

Koha e bojkotit dhe e pazareve ka perënduar.

Qëndrimin politik në raport me çështjen e zgjedhjes së Presidentit e vendos Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë vendimmarrës politik pas Kuvendit dhe e pasqyron në qëndrim Grupi Parlamentar.

Kjo është rruga statutore e funksionimit të Partisë Demokratike”, shkruan Boçi.  

Pas Luçiano Boçit ka reaguar edhe Drejtoresha e Komunikimit në PD, Floriana Garo.

“1-Pas shkarkimit nga cdo detyrë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 30 Prill 2022, deputeti Enkelejd Ailbeaj nuk përfaqëson as Partinë Demokratike, e as grupin e saj parlamentar.

Me gjithë këtë, ai vazhdon të përfshihet në farsën e turpshme të Edi Ramës të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me opozitë të emëruar prej tij.

Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe cilido që merr pjesë në farsen elektorale të Edi Ramës, përfaqëson thjesht veten dhe problemet e tij dhe kurrë opozitën shqiptare.

Deputeti Alibeaj, po përpiqet që të zgjedhë nën-dorë presidentin e Edi Ramës ose më së paku ta legjitimojë atë përkundrejt ndonjë pazari të tij.

Kjo përbën tradhti ndaj qindra mijëra zgjedhësve shqiptarë të cilëve, Edi Rama bashke me patronazhistët, paratë e drogës dhe krimit, bandat e lidhura me qeverinë dhe duke përdorur të gjithe narkoshtetin, u rrëmbeu votën.

Për rrjedhojë, Edi Rama nuk ka vota të ligjshme për të zgjedhur një president legjitim me votat e tij…”, tha ajo

“Rikujtojmë këtu, se me urdhër të Edi Ramës dhe në pazare me këtë të fundit, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj për herë të parë në historinë e Parlamentit Shqiptar, shuan pa u mbledhur, Komisionin Hetimor parlamentar të votuar në tetor 2021 për zbardhjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Qëndrimi i Partisë Demokratike për zgjedhjen e Presidentit është i qartë.

Partia Demokratike angazhohet në këtë proces vetëm në rastin që pseudo-mazhoranca vendos të pranojë për President Republike kandidatin e opozitës së vërtetë, e jo opozitës së emëruar, i cili duhet të jetë një emër konsensual i forcave politike opozitare”.

Garo tha gjithashtu se, “thirrja nga ana e deputetit Alibeaj, me porosi të Ramës, e mbledhjes së Grupit Parlamentar, është një fyerje e rëndë për të gjithë demokratët dhe një akt i paligjshëm. Alibeaj, si deputet i thjeshtë, nuk ka më asnjë autoritet për të thirrur mbledhje të grupit parlamentar.

Komisioni i Rithemelimit, i bën thirrje të gjithë deputetëve të PD të injorojnë këtë thirrje dhe të mos bien pre e lojrave Rama-Basha-Alibeaj me fasadë opozitë dhe axhendës së tyre antidemokratike”.

“Thirrja e mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike bëhet vetëm nga Kryesia e Grupit Parlamentar që përbëhet nga anëtarët e saj dhe nënkryetarët e grupit parlamentar.

Kryesia e grupit përcakton edhe rendin e ditës të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, sqaroi Garo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë