Politike

Presidenti francez, Emmanuel Macron vizitë zyrtare në muajin maj në Tiranë

Gazeta Si – Presidenti francez Emanuel Macron do të jetë në Tiranë në muajin maj, në vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri që korrespondon edhe me Samitin e Komunitetit Politik Europian të 16 majit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, gjatë takimit me Benjamin Haddad, ministër i Deleguar për Evropën.

Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Sipas Ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.

Presidenti Macron vizitoi Shqipërinë për herë të parë në një vizitë zyrtare më 16 tetor 2023, ku u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti Bajram Begaj, ndërsa në fokus të takimit ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si kultura, arsimi, ekonomia apo energjia.

Vizitë e tij në Shqipëri u konsiderua një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, pasi ishte vizita e parë zyrtare e një Presidenti të Francës në Shqipëri.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dekoroi mbrëmjen e 16 tetorit 2023 shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare me gradën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë