Kosova

Presidenti Donald Trump uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë: Presim të zgjerojmë lidhjet mes vendeve tona

Gazeta Si – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për 17-vjetorin e Pavarësisë së vendit.

Presidenca e Kosovës tha në një njoftim për media se në mesazhin e tij, Trump e “përgëzoi popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.

Qytetarët e Kosovës festojnë të hënën përvjetorin e Pavarësisë, të cilën Prishtina e shpalli në vitin 2008 me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Në letrën e Trumpit, sipas Presidencës së Kosovës, thuhet se “lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, ka thënë Trump në mesazhin e tij.

Në fillim të shkurtit, presidentja Osmani tha se me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, Kosova synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike.

Osmani zhvilloi një mori takimesh me zyrtarë amerikanë dhe kongresistë në Uashington në fillim të shkurtit, u takua me nënpresidentin JD Vance më 11 shkurt në një samit botëror për inteligjencë artificial në Paris, si dhe takoi delegacione të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë këtë fundjavë në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih.

Kosova pret të ketë qeveri të re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të cilat i fitoi partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, por pa arritur ta sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar e vetme qeverinë.

Letra e Trumpit pason kritikat që i dërguari i tij i për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se SHBA-së i duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

Kabineti i Kurtit nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me këto komente, por duke folur për një medium në Kosovë ai ka përsëritur se marrëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të mirë. Deklaratë që është pasuar me reagim të Grenell, duke thënë se ato në fakt nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.

Kurti ishte përballur me kritika edhe nga administrata paraprake amerikane e udhëhequr nga Joe Biden, për shkak të disa veprimeve të ndërmarra në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, të cilat lidheshin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi apo mbylljen e institucioneve serbe.

Kurti i ka arseytuar ato veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ndërkohë, Trump nuk e përmendi në urimin e tij drejtuar Osmanit dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Trump nuk e përmendi dialogun as në urimin drejtuar presidenti të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për ditën e shtetësisë së Serbisë javën e kaluar.

Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel – me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – prej vitit 2011, kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL/

LETRA E DONALD TRUMP DREJTUAR VJOSA OSMANIT:

E nderuar Zonja Presidente

Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Rruga e Kosovës si një komb sovran është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike, ku të gjithë qytetarët mund të jetojnë dhe të zhvillohen së bashku. Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim t’i zgjerojmë ato, duke përfshirë edhe rritjen e mundësive për investime, për të sjellë më shumë mirëqenie për të dyja kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën ndërsa ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë të biznesit.

Shtetet e Bashkuara presin me padurim ndërtimin e një marrëdhënieje më produktive me qeverinë e Kosovës gjatë vitit të ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej në komunitetin euro-atlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e së kaluarës, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella midis kombeve tona. Ju dërgoj urimet e mia më të mira popullit të Kosovës në këtë ditë festimi.

Sinqerisht, Donald Trump


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë