Jeta e një presidenti të një klubi futbolli nuk është aspak e thjeshtë në këtë periudhë. Mendoni pak për një president që drejton një klub të rëndësishëm si Sportingu i Lisbonës, por që është edhe doktor me profesion… Frederiko Varandas, i cili e ndan ditën mes Sportingut dhe spitalit, është i nervozuar.
Pandemia e koronavirusit ka pasur efekt direkt te futbolli, duke e detyruar sportin më të ndjekur në botë të ndalojë për një kohë të gjatë dhe të krijojë probleme në arkat e klubit. Për këtë arsye, kjo periudhë ka qenë stresuese për presidentin-doktor të Sportingut, Frederiko Varandas, i cili ka folur për “New York Times”.

Varandas nuk ka pasur dyshime se cila nga dy karrierat ishte prioritet për të. “Kam kontrolluar si kanë shkuar gjërat gjithë kohën, sepse futbolli u ndal, por aktiviteti i klubit ka vazhduar. Nuk ishte e lehtë muajin e parë për të bërë punën në spital dhe në klub. Sporti është pezulluar në Portugali dhe mendova se do të isha më i rëndësishëm për vendin tim si doktor”, – shprehet Varandas.
Fakti që jeton në dy ambiente e ka bërë presidentin-doktor të kuptojë se për rifillimin e futbollit po rrezikohet që të mos merren në konsideratë gjëra më të rëndësishme. “Futbollistët kanë bërë më shumë teste se sa bëjnë mjekët që punojnë në spitale dhe për mua kjo është një gjë idiote. Politikisht e kuptoj, por shkencërisht është diçka qesharake. Futbolli është një çmenduri në Portugali, është si fe, është si një sëmundje”, – thotë më tej drejtuesi i Sportingut.
Si president klubi, Varandas duhet të mendojë si do të ndryshojë futbolli pas pandemisë. Shifra si ajo e 60 milionëve të marra nga Mançester Junajtid për Bruno Fernandes duken shumë larg tashmë. “Ndonjëherë pyes veten si do të shkonin gjërat, nëse do ta shisnim tani Bruno Fernandes, me çfarë çmimi? 15 milionë, apo 10 milionë? Nuk e di cila është vlera e një lojtari në këtë moment. Dhe ne, ashtu si Porto dhe Benfika, duhet të shesim lojtarë”. Por më e rëndësishme është që të kalohet koronavirusi dhe për këtë doktor Varandas nuk ka asnjë hezitim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.