Në Kuvendin Arbëresh, që po mbahet në Tiranë si pjesë e Samitit të Diasporës, ka marrë pjesë edhe presidenti i vendit, Bajram Begaj. Në fjalën e rastit ai ka theksuar se duhet hapur një kapitull i ri bashkëpunimi, duke zgjeruar studimet albanologjike.
“Veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm dhe përgjegjësi historike, sepse pasojat do prekin edhe brezat e ardhshëm“, - deklaroi Presidenti i Republikës. Begaj vuri në dukje rëndësinë e një platforme gjithëpërfshirëse për projekte konkrete në shërbim të forcimit të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë tonë kulturore.
Presidenti Begaj vlerësoi nismat për përfshirjen e arbërishtes në shkolla, në programet e ‘Rai Kalabria’, si dhe iniciativën e Radio Televizionit Publik Shqiptar për hapjen e një kanali televiziv për Diasporën, ku do promovohet dhe gjuha e kultura arbëreshe.
Presidenti propozoi edhe hapjen e një muzeu për arbëreshët në Shqipëri: “Ne shqiptarët kemi nevojë për të mos harruar. E kaluara, sidomos kur i mbijeton historisë dhe arrin në aktualitet, duhet mësuar. Shembulli i arbëreshëve duhet të jetë nxitje që sot të bëjmë më shumë për Shqipërinë, jo të përkëdhelim ndërgjegjen, duke u krenuar me bëmat e brezave paraardhës. Ata e bënë të tyren, tani është radha jonë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.