Politike

Presidenti apelon për zgjidhjen e krizës politike

Presidenti Ilir Meta përsërit apelin për të zgjidhur krizën politike në vend. Këtë qëndrim Meta e mbajti gjatë takimit që zhvilloi me presidentin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, Timothy A. Chorba, i cili ka mbërritur në vendin tonë me ftesë të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.

Presidenti Meta, sipas zyrës së shtypit, në këtë takim i ka shpjeguar diplomatit amerikan situatën aktuale politike në Shqipëri, si dhe nevojën e palëve për t’u rikthyer në dialogun politik për të zgjidhur krizën e paprecedentë që ka pllakosur vendin, organizimin e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse të lira dhe të ndershme, ndërsa vendi ynë po pret me padurim çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Presidenti Meta dhe Ambasadori Chorba biseduan për marrëdhëniet midis vendeve tona dhe nevojën që SHBA-të të vazhdojnë të jenë të fokusuara në rajon, në një kohë që Shqipëria konsolidon shtetin ligjor dhe rendin kushtetues. Ambasadori Chorba e falënderoi Presidentin Meta për pritjen si edhe për mbështetjen që po jep për misionin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë në rajon vitin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë