Talibanët kanë arritur të futen në Kabul në kryeqytetin e Afganistanit dhe thonë se janë në pritje të një transferimi paqësor të pushtetit.
Burime nga grupi taleban i thanë “Zërit të Amerikës” se gjatë bisedimeve në Kabul ishte pranuar dorëheqja e Presidentit afgan Ashraf Ghani. Ata thanë se një grup udhëheqësish nga Afganistani do të udhëtojnë për në Doha, ku do të bëhet transferimi i pushtetit tek talebanët. Ende nuk është bërë asnjë koment nga zyra e zotit Ghani. Ndërkohë sipas agjencisë së lajmeve Reuters Presidenti Ghani është nisur drejt Taxhikistanit.
Më herët gjatë ditës së dielë, talebanët morën Jalalabadin, kryeqytetin e provincës Nangarhar dhe qytetin e fundit të madh jashtë kryeqytetit që kishte qenë nën kontrollin e qeverisë.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara po evakuojnë diplomatët nga ambasada e tyre me helikopterë.
Një zyrtar i lartë tha për agjencinë Reuters se talebanët po vinin “nga të gjitha anët”, por nuk dha hollësi të tjera.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha për rrjetin televiziv CNN të dielën se nuk ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara të qëndronin në Afganistan, pasi kryengritësit talebanë hynë në kryeqytetin e vendit, Kabul.
Zoti Blinken tha se Uashingtoni kishte investuar miliarda dollarë për forcat qeveritare afgane gjatë katër administratave amerikane, duke u krijuar atyre përparësi ndaj talebanëve, por ata nuk ia kanë dalë siç tha ai të ndalin përparimin e tyre.
“E vërteta është se ne kemi parë që këto forca nuk ka qenë në gjendje ta mbrojnë vendin”, tha zoti Blinken. “Dhe kjo ka ndodhur më shpejt nga sa e kishim parashikuar”, shtoi ai.
Ndërkohë Sekretari i Shtetit Antony Blinken, ai i Mbrojtjes Lloyd Austin, Gjenerali i Ushtrisë Mark Milley, do të informojnë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën mbi situatën në Afganistan gjatë një konference virtuale të paklasifikuar, njoftoi Associated Press.
Takimi është kërkuar nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi së bashku me një takim të klasifikuar që do të zhvillohet kur ligjvënësit të kthehet në Uashington pas 23 gushtit.
Në një deklaratë të NATO-s thuhej se kjo ajo “po ndihmon operacionet në aeroportin e Kabulit për ta mbajtur Afganistanin të lidhur me botën”.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se aleanca do të ruante praninë e saj diplomatike në Kabul. “Siguria e personelit tonë është parësore dhe ne do vazhdojmë të përshtatemi sipas nevojës”, thuhej në deklaratë.
NATO nuk dha detaje mbi numrin e stafit të saj që vazhdon të jetë në Afganistan, por tha se po “vlerësonte vazhdimisht zhvillimet” në vend.
“Ne mbështesim përpjekjet afgane për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit, e cila tashmë është më urgjente se kurrë”, thuhej në deklaratë.
Vatikant – Papa Françesku tha të dielën se ndan “shqetësimin për situatën në Afganistan” ndërsa luftëtarët talebanë po zgjerojnë kontrollin në vendin e shkatërruar nga lufta.
Ai foli kur talebanët hynë në periferi të Kabulit, kryeqytetit afgan dhe tha se ata ishin duke pritur një “transferim paqësor” të kryeqytetit.
Nga një dritare me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit, Papa bëri thirrje për lutje “në mënyrë që zhurma e armëve të pushojë e që zgjidhjet të gjenden në tryezën e bisedimeve”, siç tha ai.
Ai shtoi se “vetëm në këtë mënyrë, popullata e goditur e vendit, burra dhe gra, të moshuar e fëmijë do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë në paqe dhe siguri, me respekt të plotë reciprok”
Berlin – Gjermania po dërgon avionë transporti ushtarak në Kabul për të filluar evakuimin e stafit të ambasadës së saj të hënën.
Agjencia gjermane e lajmeve (dpa) njoftoi të dielën se misioni do të përfshijë evakuimin e stafit afgan që punon për ambasadën gjermane.
Aeroplanë ushtarakë pritet të transportojnë të evakuuarit nga Kabuli në një bazë në Azinë Qendrore.
Moskë – Agjencia shtetërore e lajmeve ruse raportoi të dielën se talebanët premtuan të garantojnë sigurinë e ambasadës ruse në Kabul.
Agjencia Tass citoi Suhail Shaheen, një zëdhënës i zyrës politike të talebanëve, të thotë se organizata ka “marrëdhënie të mira me Rusinë” dhe në përgjithësi “një politikë për të garantuar siguri për funksionimin e ambasadës ruse e të tjerave”.
I dërguari i Kremlinit për Afganistanin tha të dielën se nuk ka plane për të evakuuar ambasadën ruse në Kabul. Zamir Kabulov i tha agjencisë së lajmeve Interfax se ambasadori rus dhe stafi i tij “po kryejnë me qetësi detyrat e tyre”.
Njoftimet vijnë ndërsa luftëtarët talebanë hynë në Kabul pas një sulmi njëjavor përpara tërheqjes përfundimtare të trupave amerikane dhe të NATO-s. Talibanët thanë se nuk planifikojnë ta marrin kryeqytetin me forcë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




