Kosova

Presidentes Osmani i shkojnë 469 kërkesa nga të burgosurit, nuk e fal asnjërin (dhe ky është viti i tretë që nuk e bën)

Është viti i tretë më radhë që presidentja Vjosa Osmani nuk ka falur asnjë të burgosur. Në këtë institucion nga viti 2021 deri më sot, numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar është 469.

Nga Zyra e Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje se për cilat arsye nuk është aprovuar asnjë kërkesë, pavarësisht se në zyrë i kanë shkuar qindra kërkesa nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar, prej vitit 2021 deri më sot, është 469. Shërbimi Korrektues i Kosovës, nga viti 2021 deri më sot, nuk ka pranuar Dekret nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës për falje të personave të dënuar”, thuhet në përgjigjen e ShKK-së.

Mosfalja e asnjë të burgosuri për kaq vite, sipas avokatit Ardian Bajraktari është dekurajim për këtë kategori. Ai ka thënë se falja si një kompetencë ekskluzive e institucionit të Presidentes, ndikon në masë të konsiderueshme në risocializimin e të burgosurve.

“Falja është kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentit dhe e përcaktuar në nenin 84 të Kushtetutës, sipas së cilës theksohet se Presidenti i vendit shpall faljen individuale sipas ligjit. Ndërsa, çështja e procedurës dhe çështja e kritereve dhe elementeve të tjera janë të rregulluara me Ligjin për faljen e miratuar në vitin 2009, kurse falja në vetvete nënkupton lirimin e plotë apo të pjesshëm të dënimit, zëvendësimin e një dënimi me një dënim më të butë ose lirim me kusht. Po ashtu, përfshin edhe çështjen e fshirjes nga evidenca e të dënuarit”, deklaroi Bajraktari.

“Natyrisht që falja si një kompetencë ekskluzive e institucionit të presidentes ndikon në masë të konsiderueshme në sjelljen e mirë të burgosurve dhe natyrisht nënkupton edhe risocializim dhe riedukim të tyre. Është një inkurajim që gjatë mbajtjes së dënimit të burgosurit të kenë sjellje të mirë sepse në fund mund të përfitojnë nga ky mekanizëm”, u shpreh ai.

“Sa i përket shfrytëzimit të kësaj kompetence nga ana e institucionet të presidentit në tre-katër vitet e fundit, nuk kemi asnjë person të falur, çka në bindjen time është një dekurajim për këtë kategori të personave sepse me sjellje të mirë mund të përfitonin nga instituti i faljes… Jam i bindur që shfrytëzimi i këtij mekanizimi do të kishte ndikim në sjelljen e mirë të burgosurve”, ka thënë Bajraktari.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala shprehet se presidentes Vjosa Osmani po i kalon mandati pa e përdorur të drejtën e saj kushtetuese.

“Presidentes po i kalon afati pa falur asnjë të dënuar për të qenë më saktë këtë vit i patë falur dy të dënuar mirëpo paraprakisht ata kanë qenë të liruar nga paneli për lirim me kusht. Deri tani asnjë i burgosur nuk ka përfituar falje nga presidentja. Zakonisht ka deri në katërqind kërkesa dhe për ne është e papranueshme dhe jo normale që nga dy mijë kërkesa që kanë ardhur të mos jetë një i vetëm që i plotëson kushtet për falje. Ne vlerësojmë që ka shumë të burgosur të dënuar, të cilët i plotësojnë kushtet për falje pa rrezikuar situatën e sigurisë”, ka thënë Shala.

Shala merr shembull Shqipërinë, ku sipas tij, e kanë shfrytëzuar këtë mekanizëm dhe kanë falur rreth një mijë të dënuar.

“Jemi bërë pak monotonë duke kritikuar Presidenten sepse të gjithë ato nene për të cilat me ligj është e përjashtuar falja, ka 100 mijë arsye të tjera të ketë falje për të dënuarit. Është e pabesueshme sepse edhe në regjimet diktatoriale ka falje për të burgosurit… Sa për ilustrim, këtë vit Ministri i Drejtësisë në Shqipëri ka miratuar një ligj pas të cilët kanë përfituar thuaj një mijë të dënuar. Është joserioze sepse në Kosovë nuk ka shumë mekanizma shumë për falje të burgosurve. Është e drejtë kushtuese e Presidentes t’i falë të gjithë ata që kërkojnë përmbushin kriteret për falje. Presidentja e Kosovës po abuzon me një të drejtë kushtetuese”, shton ai.

Shala thekson se falja e të dënuarve nuk përfshin ata persona që janë recidivistë, por ata që i përmbushin kushtet e faljes.

“Askush nuk kërkon që ta falë një të dënuar i cili është recidivist i shumëfishtë dhe është i dënuar për krime thuajse të pafalshme. Mirëpo ka të dënuar që kanë vuajtur një pjesë të madhe të dënimit, ka të dënuar që vuajnë me sëmundje terminale. Javën e kaluar një 50-vjeçare ka vdekur në Burgun e Gjilanit, pikërisht për shkak të sulmit në zemër. Me këto raste të cilat ia rekomandon shërbimi shëndetësor i burgjeve qoftë gjykatës, qoftë presidencës, askush nuk merret dhe kemi në vit mesatarisht katër pesë raste kur të dënuarit vdesin brenda në burg”, thekson Shala.

“Nga ana tjetër, nëse nuk i falni të dënuarit atëherë ata që punojnë me ta, qoftë Shërbimi Korrektues, qoftë të tjerët, nuk kanë asnjë motiv që t’u japin premtime të dënuarve se mund të përfitojnë diçka; kjo ndikon shumë tek të dënuarit tjerë. Asgjë e mirë nuk del nga kjo dhe mosfalja nuk ndikon në uljen e kriminalitetit sepse Presidentja e ka listën e saktë atyre të cilët i plotësojnë kushtet për faljen”, potencoi ai./EO


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë