Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për Ermes Hoxhallin, pasi akuzohet si organizator i një skeme mashtrimi, ku iu premtonte qytetarëve programe mësimore dhe udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndaj të riut është caktuar masa e "arrestit në burg" për akuzën e ‘Falsifikimit të dokumenteve’ dhe ‘falsifikimit kompjuterik’.
Sipas organit të aukzës, 20-vjeçari banues në Devoll, kontaktonte mësues, studentë apo zyrtarë arsimorë si përfaqësues i projekteve të njohura që Ambasada amerikane organizon në Shqipëri. Programet u premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara.
Hoxhalli kishte arritur të krijonte një identitet tjetër, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe shkollave në mbarë vendin. Po kështu Hoxhalli prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës.
Ky person krijoi një identitet të rremë si "Klea Rama". Më pas, duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Tiranë, mashtroi zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri.
“Duke pretenduar se udhëheq një projekt për të rinjtë nën logon, “Let’s talk together aboutUS’23 dhe 24” ai lëshoi edhe 19 certifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë me temë “Projekti Let’s talk together about US’23””, njoftoi prokuroria.
Dokumentet e falsifikuara si certifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e këqyrura dhe të sekuestruara nga Prokuroria Tiranë gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën Hoxhallit në laptopin e tij dhe aparatët celularë.
Po aty u gjet edhe adresa e e-mailit [email protected] me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.