Gazeta Si – Revista amerikane “Politico” përdori një “Trump-O-Meter”, në vitin 2021, për të vlerësuar të gjitha premtimet e Donald Trump.
Vendimi ishte i pamëshirshëm: 53% e “shpërthimeve” elektorale të miliarderit nuk u respektuan (55 premtime), ndërsa 22% mbetën të bllokuara (23 premtime).
Gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021), Trump e respektoi fjalën e tij – kryesisht të bërtitura gjatë mitingjeve – vetëm 24 herë. Ndër premtimet e thyera, ishin shfuqizimi i “Obamacare” dhe ndërtimi i murit në kufirin me Meksikën.
Tani, që ai është rizgjedhur dhe po përgatitet për mandatin e tij të dytë, falë shenjtërimit të revistës “Time” si “Njeriu i Vitit” dhe megafonit të Elon Musk, Trump tashmë ua ka bërë të ditur amerikanëve dhe botës se cila do të jetë axhenda e tij ambicioze politike.
Disa shpërthime – të tilla si aneksimi i Kanadasë, Kanali i Panamasë dhe blerja e Grenlandës – tashmë kanë ngritur dyshime.
Çështja mbetet e njëjtë si në vitin 2016, kur Trump u zgjodh në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë: sa nga ato që ai thotë janë të arritshme? Dhe sa është provokimi për të frikësuar partnerët e biznesit dhe kundërshtarët politikë?
“Kërcënimi” i tarifave
Donald Trump ka njoftuar tarifat të larta tregtare. “I thashë Bashkimit Evropian se duhet të plotësojë deficitin e tij të madh përballë Shteteve të Bashkuara duke blerë naftën dhe gazin tonë në një shkallë të gjerë. Ndryshe do të ketë tarifa pafund!!!”, kërcënoi ai në rrjetin sociale “Truth”.
Detaje: Shtetet e Bashkuara, janë furnizuesi kryesor i LNG-së dhe naftës në Bashkimin Evropian. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, ato furnizuan rreth 48% të importeve të LNG-së të bllokut, krahasuar me 16% të Rusisë. Trump, megjithatë, është i vendosur të shfrytëzojë edhe më tej fushat e tij të naftës dhe gazit.
Ekonomistët kanë ngritur tashmë alarmin, duke folur për një rrezik recesioni dhe një rritje çmimi që do të godasë konsumatorët amerikanë.
Fundi i luftës në Ukrainë
Ai e ka bërë shumë herë këtë provokim: konflikti ukrainas nuk do të kishte shpërthyer nëse ai do të kishte qenë president i Shteteve të Bashkuara.
Tani, ai shton një pjesë potencialisht vendimtare, me një njoftim të bërë gjatë një konference në “AmericaFest në Phoenix”, Arizona: “Presidenti Putin tha se dëshiron të më takojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte”.
Plani i paqes i presidentit të zgjedhur tashmë, është diskutuar pjesërisht me Macron dhe Zelenskin në Paris, në një takim trepalësh në Pallatin Elysée me rastin e rihapjes së Notre-Dame. Edhe këtu, nuk ka surprizë të vërtetë për një president që fokusohet në izolacionizmin amerikan.
Miliarderi nuk dëshiron një Ukrainë të brishtë, por në të njëjtën kohë refuzon të përfshijë Amerikën dhe NATO-n në mbrojtjen e saj.
E ardhmja e Kievit është në duart e Evropës, e cila duhet të dërgojë ushtarë për të garantuar sigurinë e saj pas një armëpushimi.
Dëbimi i emigrantëve të paligjshëm
Pika e vjetër e fortë e GOP (Partia Republikane), të udhëhequr nga “Trumpianët”, është dëbimi i miliona emigrantëve të paligjshëm.
Ai tha se janë 25 milionë, por shifrat reale flasin për 11 milionë emigrantë të pranishëm ilegalisht në vend, maksimumi 15.
Kostoja e këtij operacioni do të ishte yjore: 960 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Këshillit Amerikan të Emigracionit, në dhjetë vitet e ardhshme.
Por ka edhe një pengesë tjetër. Shumë nga këta emigrantë të paligjshëm kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë amerikane, pasi mund të paguajnë taksa edhe nëse nuk janë shtetas.
Për më tepër, nëse dikush jeton në SHBA ilegalisht, por ka një fëmijë të lindur në Amerikë, ata janë automatikisht qytetarë amerikanë (shtetësia e të drejtës së lindjes).
Kështu, ai duhet të urdhërojë dëbimin e prindërve të fëmijëve të vegjël, të cilët do të qëndronin vetëm në SHBA, sepse në fund nuk mund të deportojë një amerikan.
Dënimi me vdekje
“Sapo të bëj betimin (20 janar 2025), do t’i kërkoj Departamentit të Drejtësisë të zbatojë dënimin me vdekje” për kriminelët e dhunshëm për “të mbrojtur familjet amerikane”.
Gjithnjë në rrjetin e tij social “Truth”, Trump kritikoi zgjedhjen e Bidenit për të zbutur dënimet me vdekje në favor të 37 të burgosurve.
“Nuk ka kuptim. Të afërmit dhe miqtë (të viktimave) janë edhe më të shkatërruar. Ata nuk mund ta besojnë atë që po ndodh!”, shtoi ai.
Deri më sot, të paktën tridhjetë shtete ende përdorin dënimin me vdekje, megjithëse kjo praktikë po reduktohet. Çdo vit, siç theksoi autori bestseller John Grisham, ndodhin gjithnjë e më pak ekzekutime.
Në Kaliforni, një shtet jo shumë aktiv në këtë kuptim, aktualisht janë 600 persona të dënuar me vdekje. Dy persona janë ekzekutuar në njëzet vitet e fundit. Prandaj, vizioni i Trump duket se është në kundërshtim me ndjeshmërinë dhe statistikat bashkëkohore.
Sipas të dhënave të Qendrës së Informacionit për Dënimet me Vdekje, vitin e kaluar janë kryer 25 dënime me vdekje në nëntë shtete.
Një sondazh i fundit i Gallup, zbulon se më shumë se gjysma e të rinjve të rritur amerikanë të moshës 18 deri në 43 vjeç, tani kundërshtojnë dënimin me vdekje.
Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Trump kërcënoi gjithashtu se do të zgjerojë fushën e zbatimit të dënimit me vdekje, veçanërisht për emigrantët e dënuar për vrasjen e qytetarëve amerikanë ose për trafikantët e drogës dhe njerëzve.
“Aneksimet” dhe përvetësimet territoriale
Shpërthimet më të çuditshme kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Ndër premtimet e parealizueshme është edhe fiksimi për blerjen e Grenlandës: Trump përsëriti se SHBA-së i duhet ishulli, një territor autonom danez, të cilin Amerika e ka lakmuar që nga viti 1867.
Këto do të ishin çështje të “sigurisë kombëtare”, sipas tij. Rasti i këtij synimi ambicioz, ishte emërimi i ambasadorit të ri në Danimarkë.
Kopenhaga ishte përgjigjur tashmë, gjatë mandatit të parë të Trump, se ishulli, me 56.000 banorë, nuk është në shitje.
Grenlanda ka rezerva të mëdha ari, argjendi, bakri dhe uraniumi dhe platforma e saj në det të hapur mund të fshehë burime gjigante nafte.
Pastaj është edhe Panamaja. “Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë, madje edhe për ushtarët e mrekullueshëm të Kinës që me dashuri, por në mënyrë të paligjshme, menaxhojnë Kanalin e Panamasë (ku humbëm 38 mijë burra në ndërtimin e saj 110 vjet më parë), duke u siguruar gjithmonë që Shtetet e Bashkuara të investojnë miliarda dollarë në para për “reparacione”, por pa pasur fjalë për asgjë”: sipas Trump, Kanali sjell përfitime ekskluzivisht për Kinën dhe tarifat për anijet amerikane që kalojnë tranzit atje do të ishin shumë të larta.
Në nivel ligjor, me një traktat që daton në vitin 1970, kanali ra nën kontrollin total të Panamasë. Ndoshta rasti më i çmendur është ai i Kanadasë fqinje, që Trump do të donte të bëhej shteti i 51-të amerikan.
Trump i uroi kryeministrit kanadez Justin Trudeau gëzuar Krishtlindjet: “Taksat e qytetarëve janë padyshim shumë të larta, por nëse Kanadaja do të bëhej shteti ynë i 51-të, ato do të uleshin me mbi 60%. Qarkullimi i aktiviteteve do të dyfishohej menjëherë dhe qytetarët do të mbroheshin ushtarakisht si asnjë vend tjetër në botë”.
Trump flet për një takim me wayne Gretzky, legjendën kanadeze të hokejit: “Unë i thashë: ‘wayne, pse nuk kandidon për kryeministër të Kanadasë? Do të fitoje lehtë, as nuk do të duhej të bëje fushatë’”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.