Panorama e përgjithshme që Lulzim Basha dhe aleatët e tij në kampin opozitar i bëjnë situatës në Shqipëri është e zymtë në të gjitha fushat. Por, në shëndetësi, kreu i Partisë Demokratike flet për një gjendje kolapsi.
I pranishëm në takimin rajonal mbi sistemet shëndetësore, të organizuar nga fondacioni “Konrad Adenauer”, Basha identifikoi katër problematikat më të mëdha dhe që të gjitha ato i lidh me keqqeverisjen dhe keqmenaxhimin e qëllimtë nga ana e Qeverisë.
Basha u shfaq i vetëdijshëm që problemet në këtë sektor nuk nisën sot, por deklaroi se sot, shqiptarët paguajnë më shumë për shëndetësinë dhe u ofrohet shumë herë më pak prej saj.
“Shqipëria është e fundit në Ballkan për sistemin shëndetësor. Nënfinancimi, shpenzimet gjigante për PPP korruptive, keqmenaxhimi i burimeve njerëzore dhe rënia e farmaceutikës në kthetrat e oligarkëve dhe monopolistëve të lidhur drejtpërdrejtë me Qeverinë në skena korruptive më të mëdhatë në Ballkan”, janë katër problematikat më të mëdha që identifikoi Lulzim Basha në fjalën e tij.
Basha deklaroi se 125 euro për frymë shkon tek buxheti për shëndetësinë, ndërkohë që de facto kjo shifër shkon në 600 euro. Diferenca, akuzon ai, shkon për projekte korruptive të nxitura nga Qeveria.
Si zgjidhje për pikën e parë, pra nënfinancimin e sistemit, Lulzim Basha propozoi kalimin e 600 eurove për frymë. Ku gjenden paratë? Kryetari i PD-së thotë se për realizimin e këtij objektivi mjafton vullneti politik për të ndaluar koncesionet korruptive.
Këtu, Basha kaloi tek problematika e dytë, që sipas tij janë kontratat e dhëna sipas skemës partneritet publik-privat. “33 milionë euro në vit jepen nga buxheti i shtetit për katër kontrata PPP, ndërkohë që gjendja në spitale është katastrofike. Ka mungesa gjigante medikamentesh, deri tek mungesa e paracetamolit likuid në urgjencat e pediatrisë”, tha Basha.
Si shembull, Basha mori sterilizimin, që sipas tij, i është dhënë një kompanie me një murator të regjistruar në Bolonja, që meritë të vetme ka një fotografi me Kryeministrin dhe ish-ministrin e Shëndetësisë. Ky shërbim, vijoi Basha, paguhet dy herë nga shqiptarët, një herë përmes një kredie të marrë nga institucionet ndërkombëtare për blerjen e furrave sterilizuese dhe trajnimin e stafit mjekësor për përdorimin e tyre dhe tani për PPP-në e dhënë.
Problematika e tretë që identifikon Basha është menaxhimi i burimeve njerëzore. Ai foli për kushte të tmerrshme pune, që shkojnë deri në sigurinë e jetës së mjekëve dhe infermierëve. Basha u zotua për nxitje dhe promovim të të diplomuarve, specializantëve dhe joshje e tyre për të qëndruar në Shqipëri, ku si hap të parë flet për rrogat. Basha premtoi që brenda mandatit të parë të rrisë rrogat për mjekët në 1200 euro dhe për infermierët në 700 euro.
“Rrogat janë më të ultat në rajon. Rrogat nuk kapin gjysmën e rrogave të rajonit të Ballkanit. 15 vjet mbrapa ka mbetur indeksimi i rrogave në krahasim me rajonin. Pa financim për të rritur numrin e mjekëve pa një ndryshim themelor të politikës së pagave nuk sjellim dot asnjë sprapsje të zbrazjes së spitaleve tona, brenda katër viteve paga minimale për mjekët të arrijë në 1200 euro në muaj dhe për infermierët në 700 euro në muaj”, u shpreh ai.
Problematika e fundit e identifikuar nga kreu i PD-së lidhet me sektorin farmaceutik. Basha fajëson ndryshimet ligjore të 2014, që sipas tij, i hapën rrugë mafias së ilaçeve duke mbushur tregun me produkte skarco, të skaduara dhe të një cilësie të dobët.
“Në treg ka ilaçe me origjina të dyshimta dhe jo të sigurta, ilaçe të skaduara me origjinë. 200 mld euro ilaçe qarkullojnë në botë nga mafia e farmaceutikës. Në 2014 Rama i hapi derën mafias farmaceutike duke ndryshuar kuadrin ligjor mbrojtës medikamenteve. Kjo do të korrigjohet menjëherë duke rikthyer barrierat mbrojtëse europiane”, deklaroi Basha.
Një ndër barrierat, që i referohet Lulzim Basha ishte ndryshimi i pikës së ligjit që përcaktonte se asnjë ilaç që nuk lejohej nga vendet e Bashkimit Europian, nuk mund të hynte në tregun shqiptar. Kjo pikë u hoq me ndryshimet e 2014-ës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




