Futboll

Premiot e UEFA-s, Çelsi në krye të listës me 126 milionë euro

Gazeta Si – Londinezët, fitues të Ligës së Kampionëve edicionin e kaluar, janë në majë të klasifikimit, para Mançester Sitit, PSG-së dhe Real Madridit. Premiot më të larta nga UEFA i kanë marrë ata.

Sa vlen të fitosh Ligën e Kampionëve? Përgjigjen e jep direkt UEFA, me premiot e shpërndara për sezonin 2020-2021. Një sezon i mbyllur me fitimin e trofeut nga Çelsi, që ka marrë edhe premiot më të larta. Blutë e Londrës kanë arkëtuar plot 126 milionë euro.

Premiot jepen nga fondi prej 1.9 miliardësh, që ishte vendosur vitin e kaluar për 32 klubet pjesëmarrëse. Një fond që pritet të rritet gjatë sezoneve të ardhshme. Pas Çelsit vjen finalisti tjetër, Mançester Siti, që ka përfituar rreth 119 milionië euro.

Çelsi, kampion i Europes vitin e kaluar. Gazeta Si, 11 maj 2022

Më pas vijnë dy gjysmëfinalistët e sezonit të kaluar në Champions, Real Madrid dhe PSG, premiot e të cilëve kapin shifrën e 110 milionëve. Juventusi, që u ndal në 1/8-at, ka arkëtuar rreth 83 milionë euro.

Premiot më të ulëta të arkëtuara nga një klubi Championsi janë 18.45 milionë euro dhe i takojnë Ferencvaroshit. Ish-ekipi i Myrto Uzunit humbi 5 nga 6 ndeshjet e fazës në grupe.

Hungarezët fituan edhe 1.1 milion euro nga fondi i UEFA-s prej 585 milionësh, që jepet për rekordert hsitorike të klubeve në kompeticionet europiane. Real Madrid, 13 herë kampion, përfitoi 35.5 milionë nga ky fond.

Në Ligën e Europës ndërkohë premiot kapin shifrën totale të 541 milionë eurove, rreth 28% të vlerës së Championsit. Fituesi i Ligës së Europës, Vilarreali, fitoi 33.1 milionë. Mançester Junajtid, që humbi finalen, pasi doli i treti në grupet e Championsit, fitoi në total 79.6 milionë nga të dy kompeticionet.

Nga fondi për premiot e Championsit, 8 milionë euro kanë shkuar për ECA-n, shoqatën e gati 250 klubeve që luajnë në kompeticionet e UEFA-s. Çdo klubi i është mbajtur rreth 5% nga premiot, sipas një akordi 5-vjeçar me UEFA-n. Kjo shumë përdoret për të rimbursuar transmetuesit dhe sponsorët për 2019-20, që u ndërpre nga pandemia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë