Emri i lojtarëve në fanellat e skuadrave të Premier League do të zëvendësohet nga shkrimi “Black Lives Matter” për 12 ndeshjet e sezonit, që do të rinisë të mërkurën në 17 qershor. Lajmin e kanë bërë të ditur vetë protagonistët e kampionatit anglez në një komunikatë të përbashkët: “Jemi të bashkuar me qëllimin e vetëm për të zhdukur paragjykimin racial kudo që shfaqet – lexohet në komunikatë – për ti dhënë jetë një shoqërie globale gjithëpërfshirëse, respekt e mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim ngjyre apo besimi”.
Një vendim sigurisht me impakt të madh edhe në nivel mediatik, duke patur parasysh që Premier është kampionati më i ndjekur në botë. Liga angleze, paralelisht, ka njoftuar se do të mbështesë këdo që vendos të gjunjëzohet përpara apo gjatë ndeshjeve në shenjë solidariteti ndaj George Floyd e të tjerë afro-amerikanë, viktima të abuzimit nga ana e forcave të rendit. Një pozicionim i ngjashëm me atë të Deutsche Fussball Liga, që në një moment të parë kishte nisur hetimin kundër Jadon Sancho e lojtarëve të tjerë për demonstrimin e tyre anti-racizëm, por pastaj ndryshoi mendim dhe garantoi lirinë për tu shprehur në fushë për këto tematika.
Sipas BBC Sport kanë qenë kapitenët e Watford, Troy Deeney dhe ai i Leicester, Wes Morgan, që kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në udhëheqjen e lojtarëve të 20 klubeve drejt këtij vendimi. Stema “Black Lives Matter” do të realizohet nga e fejuara e Deeney, Alisha Hosannah, e do ti bashkohet atij për të falënderuar mjekët dhe personelin sanitar të NHS që luftuan (e po vazhdojnë ta bëjnë) kundër pandemisë së Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




