Gjashtë lojtarë ose anëtarë të stafeve të skuadrave të Premier League, që i përkasin tre klubeve të ndryshme, kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirus. Lajmin e ka komunikuar liga angleze, pas dy ditëve të testimeve të kryera në prag të nisjes së stërvitjeve: “Mes të dielës dhe të hënës 748 lojtarë e anëtarë të stafit u testuan për Covid-19 – shkruhet në një komunikatë – Nga këto, gjashtë kanë rezultuar pozitivë, nga tre klube. Lojtarët ose pjesëtarët e stafit që rezultuan pozitivë do të vetizolohen për një periudhë 7 ditore.
Premier League komunikon këto të dhëna për të garantuar integritetin dhe transparencën e kompeticionit. Asnjë detaj specifik mbi klubet ose mbi subjektet në fjalë nuk do të komunikohet, për nevoja ligjore dhe operative”. Burnley ka njoftuar pozitivitetin e ndihmës-trajnerit Ian Woan. Tekniku është asimptomatik dhe do të karantinohet për 7 ditë përpara një testi të ri të hënën.
Në Angli, kampionati është pezulluar që prej 13 marsit dhe në mbledhjet e fundit Liga kishte programuar 12 qershorin si një datë të mundshme për rifillimin. E marta, 19 maj ishte dita e parë e rifillimit të stërvitjeve për disa klube, sipas rregullave për distancominin të caktuara në protokollin kombëtar: seanca në grupe prej maksimumi 5 lojtarë dhe me kohëzgjatje 75 minuta një.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




