Gazetari Artjan Teppelena ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, pasi ishte infektuar me Covid 19. Prej një muaji ai ishte i shtruar në Sanatorium dhe për fat të keq nuk arriti ta fitonte luftën kundër virusit të rrezikshëm.
Lajmin e trishtë e kanë njoftuar miqtë e tij në rrjetet sociale. “Na ike kaq shumë para kohe e na trishtove kaq shumë o Tan. Do të na mungosh shumë i shtrenjti jonë, sidomos Fjordit dhe Mirës. Të prehesh i qetë në përjetësi”, shprehet një prej tyre.
Artjan Tepelena ka qenë gazetar, kryeredaktor në TVSH, drejtor i lajmeve në TV Alba dhe së fundmi ishte pjesë e TV SCAN, ku drejtonte një emision.
Për ndarjen nga jeta të gazetarit Tepelena kanë ngushëlluar edhe disa prej politikanëve shqiptarë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shkruan në një postim të tijin: “Me kontributin e tij të gjatë dhe të pazëvendësueshëm në media, Artjan Tepelena do të kujtohet si lektori dhe shembulli i duhur i brezave të rinj të gazetarëve shqiptarë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kundër konformizmit në profesion”.
Ndërkaq Sali Berisha shkruan se: “…fjala e lirë dhe mediat humbën një kalorës fisnik të tyre… Artjan Tepelena mbështeti pa lëkundje zhvillimet demokratike dhe me emisionet e drejtuara prej tij dha ndihmesë të çmuar në informimin me transparencë dhe vërtetësi të publikut shqiptar në tërësi por edhe në zbulimin dhe denoncimin e krimeve të diktaturës komuniste”.
Edhe kryetari i Partisë Demoktratike Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të gazetarit Artjan Tepelena! “Koronavirusi e ndau dhimbshëm nga familja, miqtë, kolegët, duke ndërprerë një karrierë të gjatë e të respektuar,” shkruan ndër të tjera Basha. “I jam pranë familjes, të afërmve dhe kolegëve gazetarë, që fatkeqësisht, për shkak të pandemisë kanë humbur miq e bashkëpunëtorë të shumtë të shtypit të shkruar dhe televizionit. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.
Pak ditë më parë ndërroi jetë në një spital në Turqi nga koronavirusi edhe komentatori sportiv në TVSH, Kostandin Grillo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




