Ka ndodhur

Prej muajsh në arrati, këngëtarja Fjolla Morina dënohet me 6 vjet burg

Këngëtarja e njohur nga Kosova, Fjolla Morina është dënuar në mungesë me 6 vjet burg nga Gjykata e Kukësit për akuzën e trafikimit të armëve të zjarrit.

Këngëtarja 34-vjeçare, prej disa muajsh ndodhet në arrati, pasi më herët ka thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie” në një banesë në Kukës.

Gjatë seancës, prokurori Edmond Karriqi, kërkoi 7 vite burg për trafikim armësh, ndërsa mbrojtja kërkoi ndëshkim me gjobë.

Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtare Alma Ahmetaj dhe anëtarë, Sami Ujkashi dhe Enkeleda Dalipi, vendosi 9 vite burg, por duke përfituar ulje të dënimit me 1/3 me gjykim i shkurtuar, dënimi i zbret në 6 vjet.

Avokatja e këngëtares, Aurora Guska, është shprehur se vendimi i gjykatës do të ankimohet.

Ajo theksoi se Morina ka pasur në çantë vetëm një armë, edhe atë aksidentalisht.

“Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë. Ka pasur vetëm një armë, e ka pasur pa dashje, aksidentalisht në çantën e saj,” u shpreh avokatja Guska.

Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2020 në pikën kufitare të Morinës me dy armë tip pistoletë me vete në makinë.

Ajo shoqërohej nga i dashuri i saj Fisnik Syla dhe shoferi Fitim Muji.

Pavarësisht se ishin në të njëjtin mjet me të, Morina i shpëtoi dy djemtë nga përgjegjësia, teksa deklaroi se ata nuk kishin asnjë dijeni për armën dhe se këtë të fundit e kishte dhuratë nga një mik i dashur që nuk jeton më.

Por më 20 janar 2021, ajo u arratis nga banesa ku qëndronte në “arrest shtëpie” në Kukës, e cila ishte marrë me qira.

Policia shkoi për kontroll, por nuk e gjeti në banesë dhe nisi hetimet.

Ndonëse ishte në kërkim, ajo ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale, ku ka publikuar foto nga udhëtimi i saj në Dubai apo dasma në Maldive me Fisnik Sylën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë