Kosova

Prej 10 ditësh veriu i Kosovës i bllokuar me barrikada, çfarë ndodhi në protestën e serbëve në Jarinjë?

Prej dhjetë ditësh situata në veri është e tensionuar dhe barrikadat vazhdojnë në rrugët kryesore të vendosura nga serbët lokalë, që po mbështeten edhe nga serbët në Serbi përmes protestave.

Dje(18 dhjetor) në anën serbe të veriut u mbajt një protestë nga serbët, të cilët dëshironin të hynin në Kosovë, dhe sipas ekspertëve të sigurisë planifikonin që t’i vinin flakën pikës kufitare në Jarinjë.

Por, kjo nuk u arrit pasi Policia e Serbisë kishte formuar një kordon për të mos i lejuar të hynin në Kosovë, ku ishte vendosur edhe një tel gjembor.

Në protestë u panë dhjetëra serbë të maskuar, të cilët bënin thirrje nacionaliste si “Kosova është Serbi”. Prezencën e grupeve kriminale serbe nuk e ka mohuar as KFOR-i.

Në komunikatën e tyre pas kësaj proteste thuhet “Pas koordinimit aktiv me të gjitha palët, Forca e Kosovës – KFOR-i, komanda rajonale e KFOR-it ‘Lindje’ ka shtuar praninë e saj në Jarinjë për arsye parandaluese të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve”.

Pas kësaj proteste reagoi edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili është shprehur se Policia e Kosovës është e aftë të përballet me strukturat kriminale.

“Por, gjithashtu dua të siguroj të gjithë qytetarët tanë se Policia e Kosovës është e aftë dhe ka gjitha kapacitetet e nevojshme te përballet me këto struktura kriminale dhe se ne po bëjmë gjithë vlerësimet e nevojshme për mënyrën më efikase dhe kohën e përshtatshme për këtë. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, të sigurojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe të luftojmë grupet kriminale pa dallim, në të mirën e të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës sonë”, shkroi ndër të tjera Sveçla.

Ndërkohë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka kërcënuar me dërgimin e një mijë trupave në veri, madje ai e ka dërguar këtë kërkesë në KFOR, i cili është përgjigjur se po e shqyrtojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë