Gazeta Si - Me përjashtim të gjetjes së një predhe të kalibrit të vogël, e cila goditi në kokë Eduart Reçin, policia nuk ka asnjë provë tjetër të mjaftueshme që do ta çonte drejt zbardhjes së vrasjes së biznesmenit të ndërtimit në Tiranë një ditë më parë.
Vrasja e 52-vjeçarit vijon të jetë e mbuluar nga misteri, duke parë që autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë në vendngjarje.
Sipas burimeve, mësohet se në momentin kur u qëllua me armë Reçi, në zonën pranë pallatit të tij u hodhën fishekzjarre.
LEXO EDHE:
Ishte snajper apo saktësi e vrasësit? Vritet me plumb në kokë biznesmeni i ndërtimit në Tiranë, Eduart Reçi, ish-drejtor në SHISH. Familjarët mohojnë konfliktet
Për hetuesit, hedhja e fishekzjarreve mund të jetë përdorur si kamuflim për të “mbytur” zhurmën e të shtënës me armë.
Ajo që dihet, është se policia ka gjetur një predhë të vogël të dalë nga një armë sportive ose e sofistikuar, e cila është dërguar në laboratorin shkencor për verifikim.
Oficerët e krimeve të rënda ende nuk kanë siguruar gëzhojën me të cilën është bërë qitja nga arma e zjarrit që qëlloi me një plumb në kokë biznesmenin nga Dibra.
Përmasa e predhës ka qenë e vogël, aq sa sipas ekspertëve, nëse do ta kishte goditur në trup, nuk mund t’i kishte shkaktuar dëmtime të rënda sa në kokë.
“Nuk është armë e tipit të zakonshëm. Mund të jetë e një modeli tjetër, 5.56 mm dhe dëmtimi nuk ishte shumë i madh…Nëse do e merrte në trup mund të mos kishte pasoja. Është një distancë rreth 20-30 m, janë bërë disa eksperimente hetimore. Predha është gjetur, gëzhoja jo. Këto lloj armësh nuk e nxjerrin gëzhojën, kështu që do jetë e vështirë për ta gjetur”, - tha drejtori i Krimeve, Ervin Hodaj.
Sipas Mjekësisë Ligjore, plumbi e ka kapur në pjesën e djadhtë sipër veshit, e ndërsa hetuesit kanë nisur me kryerjen e eksperimenteve me qëllim për të zbuluar rrezen e qitjes.
Sipas policisë, rrezja e qitjes është llogaritur në një distancë prej 20-30 metrash në vijë ajrore, e ndërsa në pjësën e kokës nuk duken dëmtime të mëdha.
Puna e policisë po fokusohet te vëzhgimi i viktimës gjatë asaj dite për të parë nëse mund të zbulojnë ndonjë element nga autori i ngjarjes.
Deri më tani, nga kamerat e sigurisë dhe nga dëshmitë e familjarëve nuk është përfituar ndonjë element për të cilën mund ta orientojë policinë drejt një piste të sigurt.
Megjithatët, pista e hetimit mbetet ajo për shkak të pronave ose për shkak të biznesit që prej vitesh kishte viktima në fushën e ndërtimit. Në vitin 2015, ai kishte bërë një kallëzim për çështje pronësie, e cila më pas është mbyllur.
Eduart Reçi prej disa vitesh merrej me firmën e ndërtimit, ndërkohë më herët ka qënë drejtor i një drejtorie në institucionin e SHISH. Ai ishte i martuar dhe babai i dy fëmijëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.