Bota

Precedenti i 1994, Polonia supersticioze për bisedimet Rusi-Ukrainë në Budapest

Gazeta Si – “Një takim Putin-Zelenski në Budapest? Do të dukem supersticioz, por këtë herë do të provoja në një vend tjetër”!

Donald Tusk, kryeministri i Polonisë, shprehu me një postim në Twitter dyshimet e tij për vendin ku duhet të zhvillohet takimi i shumëpritur mes Rusisë dhe Ukrainë në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

Tusk i referohet marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1994 në kryeqytetin hungarez, e cila do të duhej të garantonte pavarësinë e Kievit.

“Ndoshta jo të gjithë do ta kujtojnë, – shkruan kryeministri polak, – por në vitin 1994 Ukraina kishte marrë garanci për integritetin territorial nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar. Në Budapest. Ndoshta jam supersticioz, por këtë herë do të përpiqesha të gjeja një vend tjetër”. Dhe duke iu referuar situatës aktuale, nuk shkoi edhe aq mirë.

Më 5 dhjetor 1994, në Budapest u takuan presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton, homologu i tij rus, Boris Yeltsin, kryeministri britanik, John Major dhe Leonid Kucma për Ukrainën.

Ata nënshkruan një memorandum, ku ishin vënë me shkrim garancitë për pavarësinë e Kievit. Nga njëra anë, Ukraina pranonte t’i kthente Moskës të gjitha kokat bërthamore të mbetura në territorin e saj pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Në këmbim, merrte garanci për integritetin e saj territorial, sovranitetin dhe pavarësinë. Garanci që, fatkeqësisht, u zhdukën me sulmin ndaj Krimesë në vitin 2014 dhe më pas me pushtimin e shkurtit 2022.

Nëse bie hipoteza e një takimi të ri në Budapest, si vend i samitit, mbetet në lojë opsioni i Gjenevës, qytet i një shteti neutral dhe tashmë seli e organizatave ndërkombëtare.

Qeveria zvicerane ka dhënë tashmë gatishmërinë e saj duke siguruar se do të “ngrijë” edhe urdhër-arrestin për krime lufte që rëndon mbi Vladimir Putinin nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë