Politike

Prapaskenat e daljes së saj, a po trajtohet Argita Malltezi si ‘non grata’ edhe në PD

Nga Gazeta Si – Për herë të parë qysh prej shpalljes së tij ‘non-grata’ nga SHBA, Sali Berisha ka dalë në plan të dytë në diskutimet e rrethit të tij të ngushtë apo edhe më gjerë.

Nuk ka më diskutime të tipit se kur Berisha do të ikë, çfarë do të bëhet me siglën e partisë, kush merr drejtimin, si ta marrim partinë, kush bëhet prapë deputet, si bashkohemi, si bëhemi faktor, pse nuk frymëzojmë, pse nuk ia vlen me protesta, çfarë tu themi njerëzve në bazë, si ta ndryshojmë kursin në Kuvend se i ‘Gjati’ ‘na e ka pire lëngun’, si t’ia bëjmë me të huajt me ‘non grata’-n e Berishës, si të distancohemi nga halli famijar i tij, por të bëjmë karrierë edhe në parti…

I vetmi diskutim sot në PD-në e Berishës apo edhe Bashës është një; Dalja e Argita Malltezit për herë të parë në organin më të lartë të partisë duke mbajtur një fjalim politik të shtunën e javës së kaluar.

Ajo që flitet korridoreve, tryezave apo kafeneve u reflektua më së miri edhe në debatet e të hënës në mbrëmje ku fokusi kryesor ishte diskutimi nëse Argita Malltezi kishte parashkruar me daljen e saj edhe rrugën për marrjen e drejtimit të partisë.

Ndryshe nga çdo herë tjetër ku ata i sheh dendur nëpër debate emisionesh, të hënën deputetët e PD ishin me gishta, madje të kompleksuar.

Ata që ‘triumfuan’ për të marrë ndonjë opinion me hir apo me pahir nga PD ishin emisionet e mbrëmjes ‘Top Story’, ‘Debat’ dhe ‘Open’.

Burime i thanë Gazeta “Si” së ndërtimi i emisionit me këtë temë ka qenë një dhimbje koke për stafin e çdo emisioni politik në ‘prime time’.

Shumëkush nga ithtarët që flasin për çdo gjë mbyllën gojën të hënën për daljen e beftë të Argita Malltezit, ndoshta sepse ata që e njohin nga afër Sali Berishën e njohin fort mirë edhe ambicien  e vajzës së tij dhe kohën se kur ajo synon ta shfrytëzojë.

Me daljen e saj, shumë skema, përllogaritje nën rrogoz, ambicie politike ndryshojnë edhe në PD…

Shumica të hënën kishin lënë ‘darka pune’, ‘kohë për tu përgatitur’ për udhëtime parlamentare jashtë shteti. Disa të tjerë do flisnin më vone  se ishin bërë ‘bajat’ me daljet, disa ishin të lodhur nga fundjava e Kuvendit, disa do nxirrnin qëndrime ‘të mënçuara në një kohë tjetër’ se tani ‘askush se ka mendjen tek politika’ .

Disa u justifikuan se nuk mund të rivalizojnë Sali Berishën që kishte lajmëruar një dalje tek Cim Peka të hënën.

Por Berisha nuk doli dhe bashkë me të edhe tabora e atyre që i shkojnë pas.

Ata që morën përsipër të përcillnin një koment kush nga pozicioni e kush nga ndonjë dashamirësi për pritësin e emisionit ishin Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Edmond Spaho.

I vendosur përballë një paneli analistësh, Boçi u përpoq në Top Story të mos i jepte aq rëndësi fjalës së Argita Malltezit.

Duke ndjekur logjikën politike të Berishës, sipas Boçit, Argita Malltezi kishte folur si bashkëshortja e një të burgosuri politik (në këtë rast e Jamarbër Malltezit që ndodhet në arrest shtëpi për korrupsion pasiv) dhe kaq.

“Ka shumë lajme, varet si fokusohet. Është gjë e rëndësishme dalja e Argitës. Por më e rëndësishme është fjala e Berishës. Lajmi mund të bëhet në forma të ndryshme. Lajm ishte edhe fjala e Doktorit, e Oerd Bylykbashit… mesazhet që u përcollën”, tha nëpër fjalë Boçi edhe pse për këtë çështje u pyet në fillim dhe në fund të emisionit. Boçi ishte i përgatitur vetëm për atë qëndrim.

Edhe Flamur Noka kishte një qëndrim të tij. Sigurisht më të zellshëm sesa Luçiano Boçi për Argita Malltezin. Madje Noka tha se i kishte sugjeruar Malltezit që të garonte në parti që në vitin 2013 para së të votohej Lulzim Basha porse ajo nuk kishte pranuar. Megjithatë, tani pas 10 vitesh gjerat mund të kishin ndryshuar për Malltezin, por në këtë pikë Noka ngecte.

“Së pari së dyti dhe së treti Argita Malltezi është një e persekutuar politike e regjimit dhe si e persekutuar politike e regjimit ajo nga një anëtare e thjeshtë del në një podium kryesore të PD-së për kauzën e madhe të PD-së për një drejtësi të pavarur dhe jo politike dhe për të bërë një beteje kundër një regjimi që bën inkuizicion politik.  Thjesht ajo ka ndryshuar një stad, nga një mbështetëse është kthyer në një kontributore direkte aktive për të qenë një zë dhe kjo për këtë meriton një mirënjohje nga çdo demokrat dhe opozitar”, tha Noka në “Open”

‘A do ishte mire angazhimi? Patjetër që po’, vijoi ai

Edmond Spaho në anën tjetër u pa në siklet kur pyetej për temën e ditës

“Ajo (si intelektuale) mbajti mesazhin më të rëndësishëm se na ka hyre e keqja shumë thellë dhe do të duhet të shkundemi

Këta njerëz kanë mundësi të influencojnë më shumë opinionin publik në drejtim të reagimit dhe ekspozimit të problemit…Ajo nuk ka qënë në rreshtin e parë që të dukej, por ajo vetë ka kontribuar ndër vite, bashkëshorti i saj është anëtar i KK, drejtues i një departamenti prej kohësh e megjithatë nuk e ka shfrytëzuar ambicien më shumë sesa ka arritur nisur nga këto faktor për shmangur keqkuptimet.

Ajo doli si shumë të tjerë që kanë folur dhe më pas nuk  kanë marrë drejtimin e PD. Ne gjithnjë kemi ftuar njerëz që kanë paraqitur një vlerë në fushën që drejtojnë

Edhe gruaja e Ramës ka folur në forumet e PS, por nuk ju ka bërë kaq përshtypje sa dalja e Argitës…”, e kaloi përgjigjen Spaho i ftuar në ”Debat” në A2CNN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë