Futboll

Prapaskena e bujshme, Milani po punon në fshehtësi për Romelu Lukakun

Gazeta Si – Kalimi i mundshëm i klubit italian në duart e ‘Investcorp’ e zgjeron rrezen e merkatos për kuqezinjtë. Mes objektivave është edhe sulmuesi belg. Do të ishte një operacion i bujshëm dhe një ‘tradhëti’ ndaj Interit.

Prapaskenat zbulohen nga shtypi anglez, që shkruan për një ‘sulm’ të Milanit për Romelu Lukakun, 28-vjeçarin e Çelsit. Është “Goal.com”, që bën me dije se ka lëvizje konkrete, por saktëson se operacioni mund të kryhet vetëm nëse “Investcorp” do të blejë Milanin nga “Elliott”.

Lukaku perplaset me Ibrahimoviç gjate nje derbi Milan-Inter. Gazeta Si, 22 prill 2022

Çelsi, që po kalon një periudhë të komplikuar me perëndimin e erës Abramoviç, derdhi 115 milionë euro në arkat e Interit verën e kaluar për këtë futbollist. Blutë duhet ta sheshin belgun për një shifër jo më pak se 90 milionë.

Nëse vlera e kartonit të sulmuesit bie, Milani do ta merrte seriozisht në konsideratë këtë lëvizje, edhe pse mbetet edhe çështja e pagës për t’u zgjidhur. Lukaku merr 12 milionë euro në Londër dhe për Milanin janë shumë, edhe për pronarë si “Investcorp”.

Lukaku po kalon një sezon shumë të vështirë me Çelsin, larg pritshmërive. Vetëm 12 gola në 38 ndeshje, një mesatre shumë e ulët shënimi në krahasim me kohën e Interit. Belgu është kontestuar shpesh edhe nga tifozët e Çelsit për paraqitjet e dobëta. Po ashtu, marrëdhënia me trajnerin Tuhel nuk është aq e mirë, ndaj dhe shanset që Lukaku të kthehet në Serinë A janë reale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë