Nga Gazeta “SI” – 132 vjet nga krijimi i veprës , “Bota e re” nga Antonin Dvorak, vazhdon të luhet dhe të mahnisë publikun anëkënd botës.
Ashtu ndodhi dhe në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në natën e 16 Marsit ku orkestra e TKOB nën dirigjimin e spanjollit Sergio Alapont dhe tingujt e violonçelistit 21 vjeçar Klaudio Zoto, i dhuruan publikut shqiptar tre nga kryeveprat botërore të muzikës klasike, duke marrë duartrokitje dhe ovacione në një natë që do të mbetet gjatë në kujtesë.

Stina koncertore pranverore ka nisur në TKOB me koncertin instrumentalo-simfonik “ Bota e re”. Nën dirigjimin e Sergio Alapont, një nga më të mirët e dirigjimit në Europë, koncerti nisi me veprën “Ruslan dhe Ludmila” një opera ruse e kompozuar nga Mikhail Glinka, kompozitori që konsiderohet babai i muzikës klasike ruse.
Vilonçelisti 21 vjeçar Kaludio Zoto i ardhur nga Duseldorfi, ku dhe studion, luajti veprën “ Variacione Rococo” nga Tchaikovsky. Me sytë e mbylluar thuajse gjatë gjithë kohës dhe hera herës me një buzëqeshje në portret ai komunikonte me publikun ndërkohë luante me mjeshtëri një nga veprat e rralla në violonçel të repertorit botëror.
I shoqëruar nga mbi 50 instrumentistë të tjerë, Zoto, absolutisht më i riu, i dha publikut ndjesinë e rrallë të një vepre të luajtur mjeshtërisht , por dhe besimin se talentet e muzikës klasike në Shqipëri nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë.

Qashtërsia e tij në interpretim dhe lëvizjet trupore plot emocion krijonin auren e duhur të një muzikanti të ri por me të ardhme premtuese. Fakti që kompozitori Aleksandër Peçi, ka krijuar një vepër enkas për të do të thotë shumë për të ardhmen por dhe të tashmën e djaloshit.
Në mbyllje u luajt vepra “Bota e re” nga Antonin Dvorak. Kur kompozi veprën “Bota e re”Dvořák ndodhej në Amerikë. Simfonia u kompozua në vitin 1893 dhe reflektonte ndikimet e muzikës amerikane, përfshirë muzikën e indigjenëve amerikanë dhe spiritualet afrikano-amerikane, të cilat e frymëzuan. Vepra përfundoi në maj 1893 dhe u dha premierë më 16 dhjetor 1893 në “Carnegie Hall”, Nju Jork, nga Orkestra Filarmonike e Nju Jorkut, nën dirigjimin e Anton Seidl.
Vepra u prit me entuziazëm të madh, dhe që nga ajo kohë është konsideruar një nga simfonitë më të mëdha të repertorit klasik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.