Gazeta Si – Superliga dhe UEFA vazhdojnë betejën e tyre. E teksa palët janë në pritje të vendimit të trupës gjyqësore të Bashkimit Europian në lidhje me ligjshmërinë e iniciativës, Gjykata e Madridit, që detyroi UEFA-n të tërhiqte sanksionet ndaj Barcelonës, Juventusit dhe Realit, ka pranuar rekursin. Kjo do të thotë se gjithçka riaktivizohet si më parë.
Procesi i hetimit të UEFA-s pritet të rifillojë dhe mund të sjellë sanksione të rënda. Gjyqtari i ri i seksionit 17 të Gjykatës së Madridit, pas shqyrtimit të rekursit të UEFA-s, ka lëshuar një urdhër prej 18 faqesh, që anulon vendimin për heqjen e sanksioneve të tre klubeve, që “ishin në dijeni të pasojave të mundshme”.

Juventusi, Barcelona dhe Real Madrid kanë bërë me dije se do të bëjnë një tjetër rekurs, ndërkohë procedimi i hapur nga UEFA rihap procesin, që mund të pasohet me sanksione më të rënda ndaj këtyre 3 klubeve: 100 milionë euro gjobë dhe përjashtim nga kupat për 1 ose 2 vjet.
UEFA nga ana e saj ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Madridit, që e ka konsideruar të bazuar rekursin e qeverisë së futbollit europian. Një zëdhënës i saj ka bërë me dije se UEFA nuk do të japë komente të tjera për momentin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




