Kombetarja

Praga një provë pjekurie, Silvinjo një menaxhues i shkëlqyer i grupit të lojtarëve

Fatjon Rupi – Kombëtarja mori aq sa kërkonte në Pragë ndaj Çekisë. Me siguri të gjithë do të firmosnin për barazimin para ndeshjes. Skuadra jonë luajti një ndeshje relativisht të mirë, la pak hapësira për kundërshtarin dhe shënoi falë një veprimi individual të Bajramit. Misioni çek u pëmbush.

Në ‘Fortuna Arena’ kuqezinjtë kaluan edhe provën e pjekurisë. Tani skuadra ka kualitet, e thonë të gjithë. Më shumë kualitet se kur shkoi në Euro 2026, siç e pohon edhe një nga protagonistët e atij suksesi, Etrit Berisha. Shpesh Kombëtarja ka bërë ndeshje të mira, edhe më të mira se kjo e Pragës, por është ndëshkuar nga episodet.

Ndeshja e fundit ishte më ndryshe në këtë aspekt. U duk e përqendruar nga momenti i parë deri tek i fundit, luftoi për çdo top dhe me të gjitha forcat që kishte. Ia bëri shërbimin 90-minutëshit dhe në fund meritoi pikën. Kjo tregon edhe pjekuri si skuadër, gjë që në të kaluarën na ka munguar jo pak herë në momente vendimtare.

Me po këtë pjekuri kuqezinjtë duhet të kalojnë edhe ndeshjen e së dielës me Poloninë, që tani merr vërtet vlerën e një finaleje. Një fitore e mundshme na bën që të jemi me një këmbë në Europian. Me polakët Kombëtarja jonë ka disa llogari të hapura dhe ata nuk vijnë në formën më të mirë. Janë pluse që duhen shfrytëzuar.

Trajneri Silvinjo ndërkohë, përveç aftësive tekniko-taktike, që më mirë i gjykojnë specialistët, një gjë e ka treguar qartë: është një menaxhues i shkëlqyer i grupit të futbollistëve. Ai i kushton rëndësi edhe lojtarit të 23-të në listë dhe bën që të gjithë të ndjehen pjesë e së tërës. Edhe te listat braziliani tregon shumë kujdes dhe argumenton çdo zgjedhje të tij. I fundit ishte rasti i Abrashit.

Silvinjo, trajneri i Kombetares. Gazeta Si, 8 shtator 2023

Është fakt se në kohën e Silvinjos nuk kemi hatërmbetje, apo polemika në skuadër. Më parë thuajse gjithmonë ka pasur një çështje të hapur në Kombëtare, me brazilianin jo. Kjo është parë edhe kur lojtarë të rëndësishëm janë futur nga stoli dhe kanë dhënë maksimumin. Kemi rastin e Uzunit, Bares, Gjasulës. Çdo lojtar që hyn në fushë, qoftë edhe 5 minuta, jep gjithçka. Dhe kjo është meritë e trajnerit në aspektin e motivimit.

Mënyra si Silvinjo dhe stafi i tij po e menaxhojnë këtë grup futbollistësh, që ofron alternativa më shumë se kurrë ndoshta, është për t’u vlerësuar. Për pjesën e fushës pastaj janë rezultatet që flasin dhe ato janë në favor të brazilianit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë