Gazeta Si – Një furgon me pasagjerë ka shpëtuar për mrekulli pa rënë në greminë, pasi ka dalë nga rruga në vendin e quajtur “Kthesa e Murrashit”.
Ngjarja ka ndodhur meditën e kësaj të hëne në aksin Elbasan-Librazhd, shumë afër zonës ku një javë më parë një automjet ra në ujërat e lumit Shkumbin dhe 3 persona humbën jetën.
Policia njofton se rreth orës 12:00, se automjeti që drejtohej nga M.L., 29 vjeç banues në Korçë, si pasojë e lagështirës ka humbur kontrollin ka dalë nga rruga, duke u përplasur me bordurën metalike. Fatmirësisht nga ky aksident nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme të lehta materiale.
Furgoni që ka dalë nga rruga i është afruar shumë greminës, por një kodër e vogël në anë të rrugës ka shmangur tragjedinë.
Dyshohet se furgoni me targa ‘AA 403 XK’, i cili kishte rreth 30 pasagjerë brenda, të cilët kanë mbetur të tronditur, kishte pasur probleme me frenat. Për fat të mirë nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa pasagjerët kanë zbritur të tronditur nga ngjarja.
Aksi Elbasan-Librazhd është problematik për rënien e gurëve në rrugë, sidomos në ditët kur ka reshje shiu, duke u kthyer në burim aksidenti për drejtuesit e mjeteve.
Edhe pse ka kaluar një javë nga aksidenti tragjik i 1 shkurtit, nuk është marrë asnjë masë për vendosjen e barrierave në këtë aks të rrezikshëm për automjetet.
Në 1 shkurt, shumë pranë të njëjtit vend, u shënua një aksident me një bilanc tragjik. Tre persona humbën jetën pasi makina me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Shkumbin.
Në mjet ishin 5 persona, burrë e grua dhe djali i tyre 10 vjeç, si dhe dy familjarë. Viktima mbetën bashkëshortët nga Kukësi, Elona Keqa 34 vjeçe dhe Elmi Keqa, 52 vjeç, si dhe i afërmi i tyre, Elis Sulmataj 18-vjeç. Djali 10-vjeçar i çiftit që humbi jetën, u nxor nga mjeti në gjendje të rëndë nga banorët e zonës që ndërhynë të parët.
Ai u soll në gjendje kome për trajtim të Specializuar në Tiranë. E mbijetuar e tragjedisë në Shkumbin është edhe 20-vjeçarja Ambra Halili, e cila u plagos rëndë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




