Motosport

Prag Botërori/ Ferrari ëndërron me SF-24, por RB20 duket se vjen nga një tjetër planet!

Gazeta Si – Pak ditë na ndajnë nga starti i Botërorit 2024 të Formula 1. Testet e Bahrejnit kanë dhënë ndonjë indicie, por gjithçka do të duket qartë me nisjen e garave zyrtare. Te Ferrari shpresojnë që të rivalizojnë kampionët në fuqi, edhe pse e kanë të qartë se Red Bull mbetet favorit.

Krahasimi pas testeve të fundjavës që shkoi flet për një Ferrari më të balancuar, ndërsa makina e ndërtuar nga Njuei ka zgjedhje ekstreme që e shtyjnë akoma më përpara.

Testet kanë krijuar pjesërisht kuadrin e situatës reale, që ka të bëjë me makinat e ndryshme. Pavarësisht analizës së kohëve të regjistruara, mund të kuptohet me intuitë se çfarë vlerash kanë 10 skuadrat pjesëmarrëse të Botërorit pas asaj që u pa në tri ditët e testeve.

Edhe pse këto prova nuk garantojnë për atë që do të shohim në kampionat, mund të kenë dhënë disa detaje në lidhje me faktin se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të makinave. Red Bull dhe Ferrari, nga sa u pa, mund të jenë rivalët kryesorë për Botërorin që nis të shtunën në Bahrejn.

RB20 rezulton të jetë sërish një projekt i ekstremizuar në nivelin e koncepteve dominuese të RB19. Adrian Njuei dhe të tjerët nuk janë mjaftuar me aq, por e kanë zhvilluar makinën e mëparshme. Objektivi i tyre është që të jenë gati për çdo sulm të mundshëm të rivalëve, me Ferrarin në krye, por edhe Mercedesin dhe MekLaren.

Ishte e nevojshme për të fituar kohë ndaj rivalëve dhe për këtë është punuar për sofistikimin ekstrem të pjesës aerodinamike të RB20. Kjo është pika më e fortë e kampionëve në fuqi. Pika e dobët e RB20 ndoshta mund të jetë sakrifikimi i çdo komponenti për përmirësimin e pjesës aerodinamike, një zgjedhje që mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e makinës, duke nxjerrë probleme të papritura.

SF-24 në anën tjetër i ka mbyllur testet e Bahrejnit, duke dhënë idenë e një ndryshimi filozofie, jo vetëm në nivelin konceptual, por edhe të qasjes në pistë. Si pikë e fortë duket qëndrimi i makinës, që teknikët e makinës e kanë përmirësuar në 3 ditët e testeve, me një ngarkesë aerodinamike stabël, jo si siç ndodhte në SF-23.

Skemat nuk kanë ndryshuar, por gjeometria është shumë më ndryshe. Ferrari i ri duket një makinë më ‘konkrete’, që përfaqëson një bazë për zhvillime të mëtejshme në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë