Politike

PR “korrigjon” programin e PD për pronat dhe ish të përndjekurit

Që Partia Republikane dhe ajo Demokratike po shkojnë drejt arritjes së një marrëveshje, kjo po kuptohet nga dita në ditë.

Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu mblodhi kryesinë e partisë për t’i kujtuar PD-së, jo më vlerat dhe peshën e republikanëve, por dy çështje që partia më e madhe në opozitë duhet t’i kooptojë qartazi në programin e saj; ish-pronarët  dhe ish-të përndjekurit politik.     

“Janë mbi 8 mijë viktima nga mosrespektimi i të drejtës së pronës private në Shqipëri dhe çështja e pronës private është sa një çështje e të drejtës, është një çështje sociale, është një çështje ekonomike është dhe një çështje politike.

Unë vlerësoj qëndrimin  e Partisë Demokratike për ta riparë pozicionin e vet në raport me pronat dhe meqenëse Partia Republikane ka qenë partia e vetme në mbështetje të lirisë dhe të drejtës së pronës të përcaktuar në Kushtetutë, mendoj që duhet të koordinojmë qëndrimin tonë, në mënyrë që t`i shërbejmë më në fund kthimit të pronës tek i zoti dhe kompensimit me vlerën e tregut.

Kjo është një domosdoshmëri përballë jo thjesht pronarëve, por përballë shoqërisë shqiptare”, tha Mediu.

Kryetari i republikanëve vlerësoi gjithashtu se çështja e ish-të përndjekurve nuk duhet parë vetëm me përfshirjen e disa emrave, por edhe si një detyrim i së djathtës karshi asaj shtrese. Mediu kërkoi gjithashtu qartësim të programit për politikën e jashtme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë