Politike

PPE rezolutë për Shqipërinë: Zgjidhni krizën politike!

Partia Popullore Europiane ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje palëve politikë në vendin tonë të zgjidhin sa më parë krizën politike, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm për hapjen e negociatave me BE-në.

Duke pranuar se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, PPE-ja i ka kërkuar qeverisë se kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Demokratike të ndërmarrin çdo përpjekje të mundshme për të kapërcyer krizën përmes dialogut.

Kjo rezolutë u propozua në Kongresin e PPE-së në Zagreb dhe u miratua të mërkurën vonë nga të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje politike europiane. Sipas rezolutës, PPE kërkon realizimin e reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.

Rezoluta thekson gjithashtu se veprimet për blerjen e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme nga standardet europiane dhe kërkon përparim dhe rezultate të prekshme në ndjekjen penale të të gjithë fajtorëve përfshirë politikanët, zyrtarët dhe bandat kriminale të lidhura me blerjen e votave.

Po ashtu, shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetutese dhe Gjykatës së Lartë duke i plotësuar vendet e tyre me gjyqtarë; pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Lulzim Basha flet gjate kongresit të PPE-së në Zagreb. Gazeta Si, 2019

Rezoluta e PPE dënon po ashtu personat me precedentë penalë që kandidojnë ose emërohen në funksione publike dhe Shqipërisë i kërkohet që të krijojë me shpejtësi strukturën e specializuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ajo thekson domosdoshmërinë për rezultate bindëse në luftën kundër kultivitimit masiv dhe trafikimit të kanabisit dhe luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave dhe shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të kryejë hetime aktive, ndjekje penale dhe dënime për korrupsion dhe krim të organizuar.

Kreu i PD-së Lulzim Basha foli dje gjatë seancës plenare të Kongresit të PPE-së, duke thënë se do të kërkonteë zbatimin e reformave në përputhje me ligjin e BE-së.

“Kjo nuk do të ndodhë shpejt dhe jo me këtë qeveri " theksoi Basha. “Sidoqoftë, unë vij sot tek ju me një mesazh tjetër, Shqipëria është një vend që beson ende në vlerat europiane”, tha ai.

Po ashtu, në një rezolutë të dytë, të paraqitur nga partia qeveritare e Kroacisë, PPE-ja i bëri thirrjë vendeve anëtare të BE-së, të marrin një vendim pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

"Demontimi i politikës së zgjerimit mund të çojë në situata gjithnjë e më të paqëndrueshme në rajon dhe mund të lejojë aktorët e huaj, veprimtaria e të cilëve mund të mos jetë në përputhje me vlerat dhe interesin e BE, të angazhohen më ngushtë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë", thotë kjo rezolutë.

PPE thotë po ashtu se mos hapja e negociatave mund të bëhet shkak për rritjen e numrit të shqiptarëve që zgjedhin të emigrojnë.

Në rezolutën e dytë të PPE-së theksohet po ashtu se mos hapja e negociatave ka shkaktuar zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri kroat

Merkel: Të hapen negociatat

Duke folur nga kongresi i PPE-së në Zagreb, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se dëshiron konsensus sa më të shpejtë me Francën për reformimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

"I mbështesim planet e qeverisë kroate për të organizuar një konferencë të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor në formatin e plotë të Bashkimit Europian. Dhe do të jetë e rëndësishme që ne të krijojmë kushtet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut", tha ajo.

Duke pasur parasysh propozimin e ri të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit, kancelarja gjermane u shpreh se: "Ne tani duhet të bisedojmë me Francën dhe këtë duhet ta bëjmë shumë intensivisht, për të saktësuar elementet që duhen përmirësuar, që duhen ndryshuar, në procesin e zgjerimit. Jemi të gatshëm të bisedojmë, edhe pse qysh sot kemi një numër të madh mundësish për të qenë fleksibël".
Merkel tha më tej se reformimi i zgjerimit "duhet t'u ofrojë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë reale anëtarësimi".

Ajo paralajmëroi se reformimi nuk duhet të ketë si pasojë BE-ja të tërhiqet nga premtimet e bëra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë