Futboll

Pozicion jashtë loje milimetrik? FIFA urdhëron anësorët: Mos e ngrini flamurin!

Aplikimi i skemave për të nxjerrë në pozicion jashtë loje artificialisht sulmuesit kundërshtarë, këtë botëror duket se do të jetë një mision edhe më i vështirë për mbrojtësit.

FIFA ka shpërndarë një direktivë të pazakontë pak orë para nisjes së botërorit. Sipas urdhërit të dhënë për gjyqtarët anësorë nga kreu i Komitetit të Gjyqtarëve në FIFA, Pierluigi Collina, anësorët nuk duhet të ngrenë flamurin për të sinjalizuar pozicion jashtë loje nëse kanë dyshimet për vendimin.

“Nëse shihni një gjyqtar që nuk e ngre flamurin, nuk e bën sepse po gabon, por sepse po zbaton udhëzimet që ka marrë”, deklaroi Collina.

Pra, bëhet fjalë për të gjitha rastet kur avancimi i sulmuesve mund të jetë me centimetra, e po me centimetra mund të jenë po në pozicion jashtë lojë.

Por, kjo nuk do të thotë se nëse një sulmues niset nga një pozicion jashtë loje milimetrikt dhe shënon gol ai do të quhet i rregullt.

“Kemi nxjerrë këto udhëzimi për të reduktuar gabimet njerëzore. Pra, nëse ka një pozicion të dyshimtë, gjyqtari anësor nuk duhet të ngrejë flamurin, por të lejojë lojën që të vazhdojë. Nëse më pas shënohet gol, apo jepet një penallti, ndërhyn teknologjia me sistemin VAR. Këtu, gjyqtari do të qartësojë që nga nisja e aksionit nëse bëhej fjalë për një pozicion jashtë loje apo jo”, deklaroi ish-gjyqtari italian.

Por si funksionon Video Assistance Refree (VAR)?

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino konfirmoi në muajin mars se në botërorin e Rusisë do të aplikohej teknologjia e njëjtë që u pa përgjatë gjithë këtij sezoni në Itali dhe Gjermani, por edhe në disa kupa të Anglisë.

Janë katër lloje episodesh ku mund të kërkohet ndërhyrja e VAR.

Së pari, në rastin e një goli, apo një ndërhyrjeje që qartësisht ndërpret rastin e një goli.

Së dyti, VAR mund të thirret për ndihmë në rastet e dhënies së një penalltie, ose mosdhënies së saj pas një ndërhyrjeje të dyshimtë brenda zonës.

Së treti, VAR mund të kërkohet kur një lojtar është ndëshkuar me karton të kuq. Ndihma e teknologjisë mund të bëjë që gjyqtari i takimit të rigjykojë ashpërsinë e ndërhyrjes dhe të ndëshkojë me një masë më të lehtë lojtarin fajtor.

Rasti i katërt është i rrallë, por që ka ndodhur në të shkuarën. VAR mund të thirret për ndihmë kur gjyqtari ndëshkon gabimisht një tjetër lojtar nga ai që ka kryer ndërhyrjen e gabuar.

Për të aplikuar teknologjinë, gjyqtari njoftohet përmes kufjeve nga ekipi i VAR, që ndodhet në një zonë të posaçme në stadiume. Në rastet më specifike, si kur bëhet fjalë për një penallti, apo një karton të kuq, gjyqtari mund të interesohet vetë tek VAR, falë një ekrani të vogël të vendosur në anë të fushës së ndeshjes.

Pritshmëritë

Vetë FIFA thotë se sistemi i teknologjisë ka reduktuar gabimet në kampionatet dhe kompeticionet ku është aplikuar, duke marrë si shembull kampionatin italian dhe atë gjerman. Megjithatë, zyrtarët e qeverisë botërore të futbollit e pranojnë se teknologjia ka efekte anësore.

Disa javë më parë, Gianni Infantino tha se duhet bërë kujdes me aplikimin e VAR-it nga gjyqtarët, pasi mund të ketë abuzime të paqëllimta që mund të ftohin ritmin e një ndeshjeje dhe të shkatërrojnë bukurinë e futbollit.

Pikërisht për dy arsyet e cituara më lart nga Presidenti i FIFA-s, numri i skeptikëve për aplikimin e VAR mbetet ende i lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë