Ekspozite

‘Power of Desire’, një thirrje për reflektim/ Idrizi: Shpresoj që ekspozita të hapë diskutime që shpesh shmangen nga shoqëria në Kosovë

Nga Liridon Mulaj- Debati nëpërmjet provokimit ka qënë dhe mbetet një nga qëllimet kryesore të artit. Fotografia është një ndër artet e cila provokon nëpërmjet imazhit duke e sjellë më reale dhe të prekshme, temën mbi të cilën bazohet. “Power of Desire” është ekspozita fotografike e artistit Jetmir Idrizi e hapur së fundmi në Prishtinë, e cila provokon e njëkohësisht hap një debat nëpërmjet fotove.

Fotografi të realizuara në Brazil ku në objektiv janë kryesisht individë nga komuniteti LGBTQ+  janë paraqitur në “Galerinë Kombëtare” në Prishtinë.  

Në festa, në jetën e tyre të përditshme , në karnavale apo dhe në intimet, ata përdorin trupin dhe lëvizjet si një protestë ndaj pabarazisë dhe diskriminimit.  

I lindur më 1984 në Prishtinë, Jetmir Idrizi është fotograf, puna e të cilit eksploron ndërthurjen mes portretit, identitetit gjinor dhe seksualitetit. Që nga viti 2015, ai ka ndarë kohën e tij mes Brazilit, Argjentinës dhe Gjermanisë. Në vitin 2012, ai fitoi Çmimin Ndërkombëtar të Fotografisë “Gjon Mili”, ndërsa në 2016 u shpërblye me “Çmimin Botëror të Fotografisë Sony” në kategorinë e fushatave

Për GazetaSi.al ai thotë se kjo ekspozitë është një thirrje për reflektim ndaj shoqërisë kosovare.

“Kjo ekspozitë është një thirrje që fton shoqërinë kosovare të reflektojë mbi të drejtat e personave LGBTQ+ në Kosovë e gjithashtu të hapë një dialog rreth të gjithë atyre që nuk përputhen me normalen e një shoqërie”

Ai shpjegon dhe afeksionin për kulturën e Brazilit dhe kryesisht vendeve latine dhe guximin e komuniteteve atje për të sfiduar përmes artit.

“Që në moshë të re më ka intriguar Amerika e jugut prandaj edhe ika në Brazil për të bërë një puntori fotografie. Pashë që Brazili është një realitet kontrastesh,  një vend me një kulturë tepër ekspresive, por që në të njëjtën kohë përballet me homofobi, racizëm dhe pabarazi. Më ka frymëzuar guximi i komuniteteve atje për të sfiduar normat përmes artit, trupit dhe zërit të tyre” –thotë Idrizi

Por sipas Idrizit, edhe pse Kosova ka bërë hapa para për sa i përket komunitetit LGBTQ+ ajo ende duhet të mësojë të pranojë të ndryshmen.

“Kosova, ndonëse më e vogël, ka sfidat e saj të ngjashme ,  një shoqëri që është ende duke mësuar të pranojë të ndryshmen. Kjo krijon një urë midis dy realiteteve që në pamje të parë mund të duken larg, por në thelb ndajnë të njëjtat beteja për liri. Mendoj që Kosova ka bërë mjaft progres sa i përket komunitetit LGBTQ+ , të paktën Prishtina. Megjithatë shpresoj që kjo ekspozitë trazojë sadopak ujërat e qeta dhe të hapë diskutime që shpesh shmangen nga shoqëria Kosovare” – e mbyll Jetmir Idrizi

Camille Cousin: Liria për të qenë ata që jemi dhe për të dëshiruar pa kufij nuk mund të fshihet

Kuratorja e ekspozitës Camilla Cousin e cilëson ekspozitën jo vetëm një dëshmi , por dhe si emancipim dhe protestë e përditshme e komuniteteve të caktuara për barazi.

Camille Cousin dhe Jetmir Idrizi

“Fuqia e dëshirës, na zhyt në skenat vibrante të kulturës queer të São Paulos dhe Rio de Janeiros. Më shumë se vetëm një dëshmi, puna e tij fotografike shpalos territore të emancipimit ku festa dhe vetë-pohimi bëhen akte të rezistencës. Këto hapësira kënaqësie dhe rishpikjeje përmbysin kornizat mbizotëruese heteronormative dhe patriarkale, duke i rikrijuar më një frymë të re rrugët, hapësirat private, madje edhe vetë natën.

Kjo seri rezonon një urgjencë të re. Ajo qëndron si hapësirë e dukshmërisë dhe kujtesës, duke pohuar se liria për të qenë ata që jemi dhe për të dëshiruar pa kufij nuk mund të fshihet” -shkruan Cousin në tekstin kuratorial.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 Maj 2025


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë