Partia Demokratike ka publikuar një video kushtuar tërmetit të 26 nëntorit dhe kryeministrit Rama. Në videon e publikuar në FB thuhet se Rama ka dështuar, pasi pretendoi se i kishte ardhur në ndihmë gjithë fatkeqëve, por ndërkohë shumë familje janë në çadra në acar.
Po ashtu PD thotë se fondet e shpëtimit që duhet të shkonin për familjet e prekura nga tërmeti kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve. Në këtë video PD-ja krahason deklaratën e dhënë të Ramës në fund të vitit 2019, ku flet për masat e marra për pasojat ndaj tërmetit.
“Edi Rama thotë se ‘’…ishte një mrekulli që numri i të vdekurve nuk ishte shumë i lartë’’. Ndërkohë quan Zotin të pabesë. Edi Rama thotë se ‘’Ne ia dolëm të mos lemë vetëm asnjë fatkeq dhe asnjë familje në rrugë të madhe’’. Ndërkohë 40 ditë pas tërmetit, mes dhjetëra familje jetojnë në çadra mes acarit. Edi Rama thotë se ‘’Ia dolëm të përballojmë furtunën e emergjencës imediate’’. Fakti: Ekipet e shpëtimit të patrajnuara dhe pa mjete. Fondet e shpëtimit në xhepin e qeveritarëve. Edi Rama thotë se: ‘’ Nuk kemi kohë për të humbur, por duhet të shtyjmë me forcë përpara procesin e rilindjes ekonomike dhe sociale’’.
Më tej theksohet se në Thumanë shkolla ‘’R.Jangozi’’ rikonstruktuar me tender korruptiv , rrënohet nga tërmeti dhe shembet nga qeveria vetëm një muaj pas inaugurimit.
“Rama kërkon të shtyjë kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me mashtrimin se do t’u vijë në ndihmë qytetarëve. Ndërkohë sulmon median dhe fjalën e lirë duke shfrytëzuar hapësirën ekstra ligjore. Rama ti ke dështuar!.”- thotë PD”, thuhet në këtë video.
Kjo është video e dytë që PD-ja poston brenda dy ditësh ndaj të prekurve të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, ku pati 51 viktima. Pavarësisht masave të marra nga ana qeverisë, një pjesë e banorëve po jetojnë në çadra dimri, e kjo sidomos në zonat e prekura të qarkut të Durrësit e Lezhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.