Shendet

Post-Covid solli pandeminë psikike. Gjysma e të shëruarve, seanca me psikologun, 70% janë femra

Nga Anxhela Çelanji – Në gati 1 vit pandemi Shqipëria regjistroi zyrtarisht 95 719 raste pozitive me Covid-19, edhe pse numri i atyre që mund ta kenë kaluar sëmundjen mund të jetë edhe më i madh. E ndërsa vëmendja është përqendruar tek vaksinimi, Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu kanë paralajmëruar se rrezikohemi nga një tjetër pandemi, pas kësaj të Covid-19.

“Është pandemia e psikikës”, tha Rama në një bashkëbisedim me gazetarët pak ditë më parë. Ndërsa Manastirliu tha se pandemia ka dhënë efekte të drejtpërdrejta në shëndetin mendor të atyre që kanë kaluar Covidin. Sipas saj, janë ofruar mbi 46 mijë seanca këshillimore për problematikat e shëndetit mendor nga marsi 2020 deri më sot, që e përkthyer në shifra, do të thotë gati gjysma e atyre që e kanë kaluar Covid -19 (sipas shifrave zyrtare).


Nga marsi i vitit të shkuar deri në muajin maj, këshillimi u bë nga Urdhri i Psikologut. Ndërsa nga maji 2020 e deri më sot vazhdon përmes linjës së gjelbër 08004040, që është pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë, në qendrat shëndetësore dhe spitalet Covid.

Psikologu Elton Kuqja nga Urdhri i Psikologut në Shqipëri

Në një intervistë për Gazetën “Si” psikologu Elton Kuqja, pjesë e “Urdhrit të Psikologut” tregon se gjendjen e krijuar nga Covid-19 e kanë përjetuar më shumë femrat nga ana psikologjik, në 3 muajt që ata kishin në dorë këshillimet e të prekurve me koronavirus. Më të shumta kanë qenë konsultimet online nga qyteti i Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, por nuk kanë munguar edhe telefonatat nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë pasur të nevojshme konsultimin në gjuhën shqipe post- covid.


Si është kryer procesi i këshillimit nga ju për personat e shqetësuar për Covid-19?
Procesi i këshillimit për personat e shqetësuar për Covid-19 është kryer online. Urdhri i Psikologut ka krijuar një grup me 130 psikologë anëtare të Urdhrit të Psikologut, të cilët kanë ofruar shërbim psikologjik online për të gjithë personat,nga data 23 Mars deri në datën 10 Maj. Nga ky shërbim janë realizuar 756 konsulta psikologjike.
Qytetet me probleme psikologjike më të prekur kanë qenë Tirana, Durresi dhe Lezha. 70% e telefonuesve kanë qenë femra dhe ato që e kanë përjetuar më shumë këtë situatë kanë qenë nënat me fëmijë të moshës 30-35 vjeçe për shkak tëngarkesës së shumtë qoftë të punës online edhe të përkushtimit tëfëmijëve edhe mësimit të tyre online. 18% fëmijë të grupmoshës 10-18 vjeç, pra adoleshentet kanë qenë ata që kanë përjetuar më shumë situatën me stres dhe ankth.
Nga realizimi i këtij shërbimi psikologjik online, 47% të personave kanë shfaqur nivel ankthi, 20% ngarkesë emocionale, për shkak të frikës, konfliktevebashkëshortore, çrregullimeve të sjelljes sëfëmijëve, etj. Ka pasur raste të rëndasi depresioni dhe çrregullime të tjera të shëndetit mendor. Gjithashtu një përqindje e telefonatave kanë qenë nga Gjermania, Italia, Anglia dhe Zvicra, pra shqiptarët që jetojnë në këto shtete dhe kanë kërkuar shërbim psikologjik online në gjuhën shqipe për t’u shprehur dhe treguar gjendjen e tyre.


Cilat kanë qenë problematikat më të shumta që keni vënë re dhe çfarë zgjidhje keni ofruar?
Problematikat më të shumta kanë qenë: Ankth, frikë, ngarkese emocionale, mungesëpërqendrimi, çrregullimet e gjumit, çrregullime të sjelljes së fëmijëve. Zgjidhja që është dhëne ka qenë këshillimi dhe psiko-edukimi, ndërsa rastet më të rënda janë referuar në specializime të mëtejshme.

Sa ka ndikuar pandemia në psikologjinë e individëve?
Normalisht që ka ndikuar, shëndeti mendor ështënjë aspekt shume i rëndësishëm i jetës njerëzore, ndryshimet dramatike të mënyrës së jetesës duke përjetuar ankth dhe stres të jashtëzakonshëm. Pandemia ka prekur mirëqenien e individit duke i’u krijuar atyre pasiguri për të ardhmen.
A keni vënë re një ndryshim nga periudha para pandemisë dhe pas në shqetësimet psikologjike?
Siç kam listuar edhe ne pyetjen e dytë, problematikat si ankthi, stresi, çrregullimet e gjumit, mungesa e përqendrimit, çrregullimet e sjelljes tek fëmijët, çrregullime te tjera te shëndetit mendor dhe pasiguria për të nesërmen janë ato që i shqetësojnë me shumë individët, faktorët janë të shumtë, ka mbivendosje të traumave pasi akoma nuk kishte kaluar ajo e tërmetit dhe u pasua me pandeminë, janë një sërë faktorësh, duke qenë që aspekti psikologjik dhe ai ekonomik janë të lidhur së bashku.
Keni asistuar tek pacientët me Covid-19 dhe çfarë problematikash keni vënë re?
Po kam asistuar edhe tek pacientët me Covid -19, duke ofruar këshillim dhe psiko-edukim online. Shëndeti është një aspekt shumë i rëndësishëm i jetës njerëzore i cili ka një qellim me vete, ai i ekzistencës dhe në momentin që kjo gjë rrezikohet atëherë problemet që vijnë nga pas janë të shumta. Ajo që vlen për t’u theksuar tek pacientet me Covid-19 është pyetja që: Si do të jetë e nesërmja, frika e madhe për shëndetin dhe frika e madhe se mos infektohen familjaret e tyre, ndryshimi drastik i mënyrës së jetesës, kanë çuar në ankth dhe stres të jashtëzakonshëm.

Cilat janë pyetjet më të shpeshta, gjatë këshillimeve online?
Përgjithësisht pyetjet më të shpeshta kanë pasur orientim administrativ, ku njerëzit kërkonin informacion ku të drejtoheshin për problemet shëndetësore dhe si të komunikonin me mjekët.
Pyetjet më të veçanta dhe të çuditshme që keni hasur?
Përveç pyetjeve administrative ka pasur edhe pyetje të tjera se çfarë duhet të bëjnë në rastin e ankthit dhe të stresit, çfarë të bëjnë për të kaluar këtë fazë. Nga ana tjetër pyetjet që kemi marrë në lidhje me anën psikologjike kanë qenë: A do të vdes unë tani? Mos po çmendem?; Po më rreh zemra shumë fort, do të vdes?; Do bëhem për çmendinë?
Këto janë pyetje që lidhen më së shumti me gjendjen e ankthit dhe përgjithësisht pyetjet kanë qenë ekzistenciale sepse personat që telefononin kishin një rutinë të ndryshuar tashmë dhe nuk e kishin më sensin e kohës njëjtë si më para. Kështu përgjithësisht pyetjet më të shumta kanë qenë të lidhura me pasiguritë që kishin individët. Për ne psikologët nuk ka pyetje të çuditshme sepse në raste të tilla gjendja psikologjike kuptohet që është e rënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë