Taksa

Portugalia ka në plan të ulë taksat për të ndalur emigrimin. 10 vite tatim minimal për të rinjtë

Portugalia synon të bëhet “parajsë fiskale” për të rinjtë, me qëllim ndalimin e emigrimit të tyre.

Qeveria e djathtë e vendit planifikon të ulë për 10 vite taksën mbi të ardhurat tek qytetarët poshtë 35-vjeç, një politikë e veçantë fiskale që nuk gjendet në një vend tjetër në botë.

Nisma vjen pas ikjeve masive të të rinjve që kërkojnë paga më të mirë në shtete të huaja.  

Qeveria e kryeministrit Luís Montenegro prezantoi planin si pjesë e buxhetit 2025, por nuk dihet nëse ka votat e mjaftueshme për ta aprovuar në parlament. Nëse dështon, mbijetesa e qeverisë së tij do të jetë në pikëpyetje

Plani synon të ndryshojë politikat që po detyrojnë të rinjtë të emigrojnë, taksa të larta, paga të ulëta dhe rritje të kostove të banimit.

Joaquim Miranda Sarmento, ministri i Financave tha se shkurtimi i taksave për të rinjtë është mjeti thelbësor për të ndaluar largimin e të rinjve dhe për të tërhequr të rinj të huaj të punojnë në Portugali.

Sipas propozimit, të rinjtë që fitojnë deri në 28 mijë dollarë në vit nuk do të paguajnë taksë mbi të ardhurat në vitin e parë të punës. 2-4 vitet e tjera do të përjashtohen në 75% të tatimit, 5-7 vite në masën 50% dhe 8-10 vite 25%.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur pikëpyetje mbi këtë masë fiskale duke njoftuar se ndikimi i një takse “moshore” nuk është i qartë.

Miranda Sarmento tha se plani do të ndihmonte rreth 400.000 të rinj.

Gonçalo Matias, kreu i fondacionit “Francisco Manuel dos Santos” për kërkime ekonomike, tha se ishte kritike për të frenuar emigrimin e të diplomuarve nga universitetet portugeze që kishin marrë një rritje të investimeve publike.

“Portugali ka investuar në edukim, por ky investim ka sjellë përfitime për Francën dhe Gjermaninë që ka marrë këta të rinj. Nuk ka kuptim për një vend të varfër si Portugalia të hmbë investimet e saj në vende më të pasura”, tha ai.

Matias e përshkruan planin e ri të taksave si “të zgjuar dhe të balancuar”, por shtoi se qeveria duhet të rishikojë edhe kostot e banimit, të ulë burokracitë dhe të ndihmojë të rinjtë të gjejnë punë.

Qeveria paraardhëse socialiste, që humbi zgjedhjet këtë vit, prezantoi gjithashtu një plan për të rinjtë, por prekte vetëm të diplomuarit në universitete. Plani i të djathtëve prek këdo nën 35-vjec.

Por ata nuk e kanë të sigurtë mbështetjen e socialistëve për ndryshimet e buxhetit, pasi ata kundërshtojnë reduktimin e taksave për korporatat, pjesë e planit.

Marina Costa Lobo, drejtoreshë e Institutit të Shkencave Sociale në Lisbonë tha se Montenegro është shfaqur pragmatic dhe i moderuar në këtë debat. “Nëse të majtët nuk e mbështesin planin do të duken të papërgjegjshëm. Sikur po kundërshtojnë stabilitetin vetëm për hir të kundërshtimit të qeverisë.”

Montenegro mund të arrijë shumicën edhe me të partinë e ekstremit të djathtë, Chega, e cila nuk pranon kurrësesi një aleance midis demokratëve e socialistëve.

Portugalia ka qenë prej kohësh një vend emigrantësh. Numri i njerëzve që kanë lindur atje, por jetojnë jashtë shtetit është i barabartë me rreth 1/4 e popullsisë rezidente të Portugalisë prej 10.6 milionë banorësh, shkalla më e lartë në BE, sipas Observatorit të Emigracionit.

Por vitet e fundit largimi i të rinjve të talentuar është parë si një boshllëk ekonomik.

Midis 2008 dhe 2023, 361.000 njerëz të moshës 15-35 vjeç u larguan nga vendi, duke përbërë dy të tretat e të gjithë emigrantëve gjatë asaj periudhe, sipas institutit kombëtar të statistikave.

Pavarësisht daljes, popullsia e Portugalisë ka vazhduar të rritet pjesërisht sepse ka tërhequr emigrantë nga vende të tjera me një program të artë vizash dhe stimuj tatimorë për emigrantët e pasur, të cilat të dyja po hiqen gradualisht. Megjithatë, lehtësimet e reja tatimore për të rinjtë do të jenë të disponueshme për shtetasit joportugeze që shpërngulen në vend.

Qeveria vlerëson se lehtësimet e taksave për të rinjtë do t'i kushtojnë shtetit rreth 650 milionë euro në vit.

FMN paralajmëroi se reduktime të tilla në të ardhurat nga taksat bien ndesh me nevojat e Portugalisë për të shlyer borxhin e qeverisë duke financuar më shumë investime publike.

Një punëtor në Portugali që fiton pagën mesatare vjetore prej rreth 20.000 € aktualisht paguan një normë të lartë të tatimit mbi të ardhurat prej 26%. Kushdo që fiton midis 21.000 € dhe 27.000 € paguan një normë maksimale prej 32.75%./FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë