Filma

‘Portreti i Pambaruar i Clara Bellinit’ vlerësohet me tri çmime të tjera ndërkombëtare

Nga Gazeta Si - “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit” me regji nga Namik Ajazi po vazhdon të tërheqë jo vetëm vëmendje, por edhe çmime në festivalet ndërkombëtare ku po prezantohet.   

Pas vlerësimit si “Filmi më i Mirë me Metrazh të Gjatë” në edicionin e 21-të të Festivalit të Kalsruhe në Gjermani, filmi “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit” sapo ka rrëmbyer tri çmime në Cilento International Film Festival.

Duke garuar mes 1432 filmash konkurrues (220 prej të cilëve të huaj), filmi rrëmbeu çmimet:

– Çmimin ndërkombëtar si “Filmi më i mirë” në të gjithë komponentët.

– Çmimin “Fotografia më e mirë”, Nino Çeleste, Drejtor Fotografie.

– Çmimin “Aktorja jo protagoniste më e mirë”, Marta Gastini.

“Portreti i Pambaruar i Clara Bellinit”, është një bashkëprodhim shqiptaro-italian, bazuar në historinë e vërtetë e në dokumentet reale të nxjerra nga puna kërkimore gati trevjeçare e regjisorit Ajazi në arkivat e Ministrisë së Brendshme dhe jo vetëm.

Regjisori Ajazi risjell një histori në film nga Tirana e viteve ’80-të, nga kohët kur regjimi i egër diktatorial i shndërronte dashuritë në të ndaluara.

Historia që lidh dy shtetet, Shqipërinë dhe Italinë, dy gjuhë e dy kultura, vjen në film nga një kast aktorësh shqiptarë e italianë, duke nisur nga i madhi Remo Girone e duke vijuar me Marta Gastini, Beatrice Aiello, Anton Kodrinaj, Vityoria Zinny, Olta Daku, Guljem Radojan, Alfred Trebickën, Rajmonda Bulkun, Valdrin Hasani etj.

Krahas historisë së dashurisë së dy të rinjve, filmi tenton të sjellë edhe atmosferën e atyre viteve të vështira për shqiptarët.

Filmi pritet të shfaqet në disa qendra të filmit në Europë, si Frankfurt, Madrid e së shpejti edhe në Prifest në Kosovë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë