Lexo me "Si"

Portretet e postierit Roulin dhe miqësia që ndryshoi jetën e Van Gogh

Nga Gazeta ‘Si’- Në kohën më të vështirë dhe më të trazuar të jetës së tij, piktori Van Gogh u mbështet nga një shok shpirtëror i papritur, Joseph Roulin, një postier në Arles.

Më 23 dhjetor 1888, ditën kur Vincent van Gogh preu veshin e tij dhe ia dha pjesën e prerë një punonjëse seksi, ai ndeshi në dashamirësinë dhe kujdesin e një postieri të quajtur Joseph Roulin.

Një figurë e rrallë e stabilitetit të shëndetit mendor të Van Gogh gjatë dy viteve të tij të trazuara në Arles, në Jug të Francës, Roulin siguroi që Van Gogh të merrte kujdes në një spital psikiatrik dhe e vizitoi gjatë kohës që qëndroi aty, duke i shkruar shpesh vëllait të artistit, Theos, mbi gjendjen e tij.

Roulin

Ai paguante qeranë e Van Gogh-ut gjatë kohës që ai ishte nën kujdes dhe e kaloi gjithë ditën me të kur ai u largua dy javë më vonë.

“Roulin… ka një gravitet të heshtur dhe një butësi ndaj meje  siç mund të ketë një ushtar i vjetër për një të ri,” i shkroi Van Gogh, Theos  në prill të vitit pasardhës, duke e përshkruar Roulin-in si “një shpirt kaq të mirë, kaq të mençur dhe plot ndjenja”.

Van Gogh-u kaloi nga Parisi në Arles në shkurt të vitit 1888, duke besuar se drita dhe ngjyrat intensive do të përmirësonin artin e tij, dhe se jugorët ishin “më artistikë” në dukje.

Përpara se të kalonte në shtëpinë e verdhë, Van Gogh kishte marrë me qira një dhomë mbi Café de la Gare. Bari ishte vizituar shpesh nga Joseph Roulin, i cili jetonte në të njëjtën rrugë dhe punonte në stacionin e trenit aty pranë, duke mbikëqyrur ngarkimin dhe shkarkimin e postës. Duke ndjerë se forca e tij qëndronte në pikturën e portretit, por duke pasur vështirësi për të gjetur njerëz që të pozonin për të, Van Gogh ishte i gëzuar kur postieri me karakter, i cili shpenzonte një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tij në kafe, pranoi të pozonte për të, duke kërkuar vetëm të kompensohej me ushqim dhe pije.

Ndërmjet gushtit 1888 dhe prillit 1889, Van Gogh krijoi gjashtë portrete të Roulin-it, simbole të shoqërisë dhe shpresës që bëjnë kontrast  me motivet e vetmisë, dëshpërimit dhe fatit të afërt që shihen në disa nga veprat e tij të tjera.

Në çdo portret, Roulin është i veshur me uniformën e tij blu të postierit, të zbukuruar me dyll dhe shirita ari, dhe fjala “postier” shfaqet me krenari në kapelen e tij. Hunda e shkurtër dhe fytyra e kuqerremtë e Roulin-it, e skuqur nga vitet e pirjes së alkoolit, e bënë atë një muzë tërheqëse për piktorin

Roulin ishte vetëm 12 vjet më i madh se Van Gogh, por ai u bë një dritë udhëzuese për piktorin e vetmuar.  Për shkak të mjekrës së tij dhe mençurisë që kishte, Van Gogh-u e quajti atë Sokrat

Van Gogh kishte shpresuar dikur të bëhej një baba dhe bashkëshort vetë. Marrëdhënia e tij me familjen Roulin i dha mundësinë të përjetonte disa nga ato gëzime. Në një letër drejtuar Theo-s, ai përshkruan Roulin teksa luante me beben e tij: “Ishte prekëse ta shihje atë me fëmijët e tij në ditën e fundit, sidomos me të voglën kur e bënte atë të qeshte dhe të kërcente mbi gjunjët e tij dhe këndonte për të.”

Jashtë  mureve të shtëpisë , Van Gogh shpesh përjetonte armiqësi nga vendasit, të cilët e përshkruanin si “të çmendurin me flokë të kuqe”, dhe madje kishin kërkuan që ai të mbyllej në çmendinë. Në ndryshim, familja Roulin e pranonte sëmundjen e tij mendore, dhe shtëpia e tyre ofronte një vend sigurie dhe mirëkuptimi.

Historia e artit ka përfituar shumë nga liria që kjo marrëdhënie i dha Van Gogh-ut për të eksperimentuar me portretin, dhe për të zhvilluar stilin e tij të veçantë me forma të vizatuara qartë, ngjyra të guximshme dhe të ndritshme, dhe goditje të trasha dhe të lakuara që e mbushin formën me  jetë. Në sigurinë e kësaj miqësie, ai përmbysi konventat e pikturës së portretit, duke i dhënë prioritet një përgjigje emocionale ndaj subjektit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë