Ekspozite

Portrete në mozaikë prej druri! ‘Gjama’ bën bashkë 18 personalitete në Fishtë të Lezhës

Nga Gazeta Si - Portretet e 18 personaliteteve të shquara të kombit shqiptar ndër vite, vijnë jo në kanavacë siç jemi mësuar t’i shohim portretet, por me copëza druri, në mozaikë prej druri.

Portretet e personaliteteve shqiptare që bënë historinë e kombit të realizuara nga artisti Nagip Tashi janë ekspozuar në ish-burgun politik në Fishtë të Lezhës.  Veprat që artisti i ka ndërtuar i vetëm në atë botën e tij të krijimit, nga ku jo vetëm gjente paqen, por edhe kuptimet e jetës, të emocionojnë e të bëjnë t’i sodisësh gjatë.

Autori i kësaj ekspozite me titull “Gjama”, Nagip Tashi, një shqiptar që jeton në Serbi, veprat e tij (për të cilat janë përdorur 30 mijë copa druri) i ka sjellë edhe në Fishtë për shkak të lidhjes së këtyre punimeve me atë ambient.

“Ideja për realizimin e kësaj ekspozite në Fishtë te Mrizi i Zanave në fakt ka lindur në Prishtinë nga Ardianë Pajaziti, në muajin dhjetor të vitit të kaluar atëherë kur edhe mozaikët e mi për herë të parë u ekspozuan për një audiencë më të gjerë se sa vetëm në rrjetet sociale. Fishtën nuk e zgjodha unë, Fishtën e zgjodhi Ardianë Pajaziti së bashku me Altinin pronarin e Mrizit të Zanave për shkak se punimet e mia e kishin njëfarë lidhje me atë ambient, e sidomos kur iu zbulova se jam duke e punuar figurën e Gjergj Fishtës në mozaik”, shprehet artisti për Gazetën “Si”.

Artisti Nagip Tashi gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës

Artisti shqiptar nga Bujanoci thotë se ka realizuar ëndrrën për të hapur ekspozitën në vendlindjen e At Gjergj Fishtës.

“Unë jetoj në Serbi, po i di shumë vargje përmendësh të Fishtës, i kam recituar, kam menduar se ia kam borxh një portret”, u shpreh Nagip Tashi.

Artisti veçon nga disa vargje nga Fishta që kanë të bëjnë me tolerancën ndërfetare, ndërsa thotë se “ajo thënia e famshme e Fishtës për bajram e pashkë shqiptarinë e kemi bashkë më ka ndjek gjithnjë edhe m’u ka dukur si çelës i tolerancës ndërfetare”.

“Brenda kësaj figure të Fishtës ekziston njëfarë kurioziteti”, vijon më tej ai.

Poeti dhe shkrimtari Gjergj Fishta

Duket sikur këto personalitete që artisti i ka punuar me copëza druri i përbashkon ideali, ndërsa titulli “Gjama” vjen në mënyrë figurative.

“Ekspozitën e kam quajtur ‘Gjama’, sepse unë jetoj në Serbi e gjama për ne si pakicë është sikur ajo gjama e poezisë së Fishtës (vajtimi i burrave në traditën shqiptare)”, shpjegon më tej artisti për Gazetën Si.

Përveç Gjergj Fishtës, Tashi ka sjellë për publikun edhe figura të tjera që historia ka folur gjatë si Gjergj Skënderbeu, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kodra, Barack Obama etj.

Pjesë e ekspozitës ‘Gjama’ është edhe portreti i aktivistes së njohur nga Kosova, Fahrije Hoti, e vetmja figurë e prezantuar që sot është gjallë.

Aktivistja Fahrie Hoti

E gjithë kjo ekspozitë fsheh një punë të mundimshme pas, ku artistit i është dashur t’i bashkojë llojet e drunjve nga druri i arrës, bungut, ahut, frashrit për të formuar figura.

“Procesi për realizimin e mozaikëve ka qenë i gjatë, normal edhe i mundimshëm sepse nëse i llogaris për një kornizë m’u ka dasht me i modifiku afërsisht 2000 deri në 3000 copë druri që i bie në 18 figura janë vendosur afërsisht 30,000 copë druri në forma të ndryshme”, vijon më tej ai.

Artisti Gashi përfundon për Gazetën “Si” se inspirimin për mozaik e ka nga fasadat e brendshme të teatrit të Prishtinës.

“Portretin e parë që e kam realizuar ka qenë aktori jonë me famë botërore Bekim Fehmiu. Për realizimin e secilës nga këto figura e kam pas nga një motiv nga veprimtaria e tyre për secilën fushë të veprimit të tyre”, përfundon artisti shqiptar.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për 10 ditë me radhë në Fishtë të Lezhës, duke e zhvendosur artin përtej qendrave të qyteteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë